Një i vdekur dhe 20 raste të reja pozitive ishte bilanci i 24 orëve të fundit për qarkun e Durrësit, bazuar në raportimin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë për statistikat e pandemisë Covid-19.
Qarku i Durrësit renditet fatkeqësisht i dyti pas Tiranës përsa i përket shifrave të vdekshmërisë me 117 fatalitete që nga nisja e pandemisë në muajin mars. Ndërsa përsa i përket rasteve aktive, renditemi të tretët, pas Tiranës dhe Fierit, me 1366 raste në total. Shifra këto që tregojnë përmasat e frikshme të përhapjes së Covid-19 në të gjithë qarkun. Ndërsa në muajt e parë të pandemisë shumë nga ne pyesnin nëse njihnim persona që ishin prekur nga koronavirusi, tani më shumë dëgjon për persona që e kanë kaluar, sesa ata që ende rezultojnë të paprekur nga Covid.
Situata paraqitet e rëndë edhe në spitalet Covid me 3 pacientë nga Durrësi në terapi intensive dhe 14 në mjekim spitalor. Këtu përfshihen të dhënat vetëm nga spitalet Covid, pavarësisht se prej javësh edhe spitali i Durrësit trajton të sëmurë të prekur nga koronavirusi, por që nuk është e qartë nëse përfshihen ose jo në statistikat ditore të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkohë, 1349 persona janë të vetizoluar në shtëpi, pasi rezultojnë pozitivë, ndërkohë që 2671 persona e kanë fituar tashmë betejën me virusin vdekjeprurës. Pavarësisht shifrave të larta të të prekurve dhe fataliteteve, nuk dimë të themi me siguri nëse shifrat përkojnë me realitetin, apo janë edhe më të larta.
Prej mëse dy javësh, DurrësLajm ka kërkuar prej drejtorisë së Gjendjes Civile Durrës, statistikat e vdekjeve dhe lindjeve për 11 muajt e parë të vitit 2020, për t’i krahasuar ato me statistikat e së njëjtës periudhë të një viti më parë, por nga institucioni në fjalë nuk na janë vënë ende në dispozicion. Statistikat zyrtare do të jepnin një panoramë më të qartë të situatës në terren, sepse pavarësisht fataliteteve edhe për shkaqe të tjera, një pjesë e konsiderueshme e tyre i atribuohen koronavirusit dhe pasojave të shkaktuara prej tij.

Statistikat e INSTAT për vdekshmërinë
Ndërkohë, po t’i referohemi statistikave zyrtare të Institutit të Statistikave, të cilat janë publikuar për tremujorin e tretë të këtij viti (korrik-shtator), në rang vendi kemi një rritje me 25,7 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2019. Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2020 rezulton 6.294 persona në të gjithë vendin.
Ndërkohë, përsa i përket Durrësit, në tremujorin e tretë 2019 regjistroi 437 të vdekur, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2020 numri arriti në 588. Një rritje e konsiderueshme me 151 të vdekur më shumë dhe një rënie të konsiderueshme të lindjeve (50 lindje më pak sesa tremujori i tretë 2019) janë dëshmi se treguesit demografikë të qarkut janë në përkeqësim. Kujtojmë gjithashtu se përgjatë këtyre muajve, statistikat e rasteve të reja dhe fataliteteve nuk ishin kaq të larta sa në tetor, nëntor dhe dhjetor, kur u regjistruan rekorde të njëpasnjëshme.
INSTAT e deklaron qartë që në tremujorin e tretë 2020, në të dymbëdhjetë qarqet e vendit shënohet rritje e numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Rritja më e madhe vihet re në qarkun e Tiranës, qark që përgjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë ka regjistruar shifrat më të larta të vdekjeve dhe rasteve pozitive (respektivisht 443 të vdekur dhe 23663 raste pozitive që nga muaji mars).
M.B.





