Nga Mila Ballhysa

E pashë disa herë videon 3D të postuar nga kryeministri Edi Rama, ku pasqyrohej Durrësi i së ardhmes, Durrësi i transformuar.

E pashë disa herë videon, sepse nuk po gjeja as edhe një detaj nga Durrësi i tanishëm, nga qyteti ku kam lindur e ku jetoj.

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja këtë oaz ku njerëzit mbërrijnë me jahte lukzose, sistemohen në disa hotele luksi nga dhomat e të cilave u shpaloset para syve gjithë “mrekullia” e transformimit të Durrësit.

E pashë disa herë videon, sepse doja të shikoja në sfond pallatet shtatlartë të ngritura gjatë këtyre 20 viteve të fundit përgjatë vijës bregdetare. Si për çudi nuk pashë asnjërin, 3D do ketë bërë punën e vet dhe i ka fshirë sepse nuk dukeshin bukur në sfondin e ndërtesave të ulta e rezidencave që na servirte videoja romantike e mëngjesit të sotëm.

E pashë disa herë videon, sepse po mundohesha të gjeja pallatet e shembura nga tërmeti apo nga IKMT-ja, e që kryeministri ka premtuar se do t’i ndërtojë nga e para dhe shumë shpejt madje.

E pashë disa herë videon, sepse po tentoja të gjeja lagjen e re në Spitallë, ku do të ndërtohen godinat për të pastrehët e tërmetit. Doja të gjeja lagjen e re që do të ndërtojnë arabët, të cilëve në këmbim iu servir në pjatë porti më i madh në vend. Unë se pashë, po ju a e patë?!

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja nëse vera që servirej në gota apo limoni që shtrydhej nëpër ushqime kishte diçka ndryshe nga ajo çfarë na kanë servirur gjithë këto vite restorantet tona përgjatë vijës bregdetare.

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja ku ishte qyteti im, qyteti i ne të gjithëve, qyteti që në të mirë e në të keq, edhe pse ndoshta e shajmë në disa raste, në fund të ditës të gjithë e duam.

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja ku ishte degdisur porti më i madh në vend i mallrave. Bukurive të 3D-së mesa dukej nuk u përshtateshin kontejnerët, vinçat, mallrat gjenerale etj, prandaj ato s’dukeshin gjëkundi.

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja ku ishte ekspozuar pasuria arkeologjike dhe historike e qytetit tim. Me ç’kuptova as ajo nuk hynte në preferencat e 3D-së, sepse se pashë gjëkundi.

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja ku ishim ne, banorët e qytetit, ku ishin pallatet, shtëpitë, rrugët ekzistuese. Ku ishin tonelatat e betonit me të cilin na kanë mbytur gjithë këto vite? A i pa ndonjëri?

E pashë disa herë videon, sepse doja të kuptoja nëse kryeministri Rama i ka borxh Durrësit aktual apo Durrësit 3D, 4K, 8K apo…?

Pavarësisht mrekullisë vizive dhe luksit që shfaq Dubai, përveç anës së ndritshme të tij ofron edhe një panoramë tjetër. Atë të qindra mijëra emigrantëve që jetojnë e punojnë në komplekset luksoze, në bizneset miliona euroshe të sheikëve, por që netët i ngrysin në apartamente 2+1, ku ndajnë qeranë deri në 10 veta. A do të ketë edhe Durrësi aktual të njëjtin fat, për hir të Durrësit modern e të transformuar të 3D-së?

Në fund, pasi e pashë disa herë kuptova se përtej Durrësit me rrugë të ngushta sa s’ka ku të vejë më, pa parkime, me godina të shkatërruara nga tërmeti, qytetit të betonuar e pa ujë 24 orë, ekziston edhe një projektim virtual i qytetit që jo domosdoshmërisht do të bëhet realitet.

Nëse Rama vërtet do ta ndjente që i ka borxh Durrësit, do të bënte njëherë të jetueshëm këtë qytet ku kalojmë ditët ne, banorët e tij, e më pas të projektonte Durrësin e ëndrrave të tij Surre(a)l(e).