Durrësi turistik ku vizitorë nga e gjithë bota kaluan këtë verë disa ditë pushime apo Durrësi i harruar në errësirën që pllakos lagjet e qytetit sapo bie nata?!
Kontrasti është i fortë, ashtu siç është edhe realiteti i trishtë i shumë rrugëve të qytetit bregdetar.

Ndërsa gjatë ditës në qendrën e qytetit dhe monumentet e kulturës vërshojnë grupet e turistëve të huaj, gjatë natës lagjet e qytetit zhyten në errësirë, pasi ndriçimi mungon ose është jo funksional.

Filmimet janë bërë mbrëmjen e së enjtes në disa rrugë të qytetit si: “Hysen Myshketa”, “Marin Barleti”, “Teodor Rupi” etj. Ndodhen shumë pranë qendrës, në lagjen nr.5.

Qytetarët dhe bizneset durrsake që paguajnë taksat vendore, mes të cilave edhe taksën e ndriçimit, lihen në errësirë dhe harresë, duke rrezikuar të bien pre e hajdutëve dhe grabitësve.

Ata paguajnë për një shërbim, që u mungon sapo shkelin jashtë pragut të shtëpive të tyre, në orët e mbrëmjes.

Përtej gjithë jehonës mediatike ndërkombëtare për një qytet ku mund të kalosh pushime ekonomike apo ku vijnë të furnizohen me naftë superjahtet luksoze të miliarderëve të botës, Durrësi ka nevojë urgjente të ofrojë shërbimet bazike për qytetarët e tij.
Përtej propagandës qeveritare të projekteve madhore që pritet të konkretizohen në vazhdimësi, qytetarët, që kanë për deputet kryeministrin e këtij vendi, luten për pak dritë në rrugën pranë banesës së tyre…
M.B.





