Durrësi i dha sot lamtumirën e fundit njërit prej personaliteteve të fushës së arkeologjisë, Fatos Tartarit.
I ndarë nga jeta më datë 8 mars, Tartari kujtohet nga ish-kolegët e tij si një njeri mjaft i apasionuar ndaj arkeologjisë dhe nëntokës së qytetit të tij të lindjes, por njëkohësisht edhe një zë i fortë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Durrësit.
“Fatmirësisht kemi lindur në një lagje dhe kemi qenë gjithnjë në afërsi me njëri – tjetrin. Ai brenda mureve të kalasë, unë jashtë tyre. kemi mbaruar të dy në degën Histori të Universitetit të Tiranës dhe fati e solli që të punojmë 25 vite së bashku në Muzeun Arkeologjik”,– kujton miku i tij Afrim Hoti.
“Gjithë jetën e tij, gjithë veprimtarinë e tij si arkeolog ia ka kushtuar qytetit të Durrësit. Ka bërë studime të rëndësishme në fushën e amforave, ndërkohë që ka bërë gërmime në qytet, gjithashtu ka qenë një zë i fortë, edhe pse në pension, duke mbajtur qëndrim lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Durrës. ka qenë shumë I lidhur me qytetin, prandaj mendoj se meriton gjithë respektin e qytetarëve”,- tha arkeologu Adrian Anastasi për “DurrësLajm”.
Profesor Afrim Hoti, një bashkëkoleg i Tartarit për shumë vite, kujton periudhën kur pavarësisht problematikave dhe mungesës së bazës materiale, pasioni për arkeologjinë i bënte të harronin çdo vështirësi e të punonin me përkushtim.
Në homazhet në nderim profesor Tartarit, që u mbajtën këtë të premte në hollin e Pallatit të Kulturës, morën pjesë kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, përfaqësues nga dega lokale e PD-së, si dhe miq e kolegë të arkeologut të njohur.
Bashkëpunëtor me arkeologun e famshëm, Vangjel Toçi, Fatos Tartari ishte shumë aktiv në jetën kulturore të qytetit, por edhe në mediat lokale e ato kombëtare, duke denoncuar dëmtimet e vazhdueshme të arkeologjisë në Durrës. Ai ishte pjesë e lëvizjeve qytetare kundër projekteve që dëmtonin nëntokën e qytetit bregdetar dhe njihej për pasionin e tij për biçikletën.
M.B.





