Bota e sportit i dha lamtumirën e fundit pasditen e sotme portierit legjendar, Sulejman Maliqati.
Me dhjetëra familjarë, të njohur, miq e kolegë, personalitete të botës së sportit dhe politikës morën pjesë në homazhet për 94-vjeçarin Maliqati, i ndarë nga jeta një ditë më parë.
I njohur nga të gjithë si “macja e zezë”, Sulejman Maliqati ishte portieri që gjithë karrierën e tij futbollistike luajti pa doreza.
Në homazhet në nderim të tij ishte dhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili vlerësoi gjatë fjalës së tij kontributin e madh që Maliqati dha për futbollin shqiptar, por edhe dhimbjen e thellë me të cilën jetoi gjatë viteve të fundit për shkak të ndarjes nga jeta të djalit të tij, Agim Maliqati.
Kortezhi mortor me trupin e Sulejman Maliqatit la Pallatin e Kulturës në Durrës në orën 15.00 mes duartrokitjeve dhe buqetave me lule të të pranishmëve.
Ky është udhëtimi i fundit në Durrës, i Sul Maliqatit, njeriut që për shumë vite me radhë ekzaltoi tifozët e Partizanit dhe Kombëtares me pritjet e tij në katërkëndëshin e portës.
M.B.





