Mesditën e sotme, në hollin e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu” u mbajtën homazhet për ndarjen e papritur nga jeta të virtuozit të violinës, Pandeli Gjezit.

Pandushi, siç e thirrnin miqtë dhe të njohurit, ishte një instrumentist me famë, i lindur dhe i rritur në qytetin e Durrësit.

Ai u nda nga jeta mëngjesin e 13 qershorit, në moshën 69-vjeçare, për shkak të një ataku kardiak.

Familjarët, miqtë por edhe shumë figura të njohura të artit dhe muzikës i dhanë lamtumirën e fundit, virtuozit të talentuar, që shkëlqeu me talentin e tij jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato botërore.

I nderuar me titullin “Ambasador i Durrësit në botë” nga shoqata “Durrësi Autokton”, Gjezi përfaqësoi gjatë gjithë jetës së tij disa nga vlerat më të mira të qytetarisë durrsake, ndërkohë që familja Gjezi i ka dhënë skenës shqiptare dhe jo vetëm disa nga instrumentistët më të mirë të dekadave të fundit, si Pirro, Toni, Aleksandër apo Kristi Gjezi.

Për të mësuar më shumë për kontributin e madh të dhënë nga Pandeli Gjezi në lëmin e muzikës, por dhe për përfaqësimin e vlerave më të mira të qytetarisë durrsake, “Durrës:Lajm” intervistoi disa nga kolegët dhe të njohurit e tij si Profesori në Akademinë e Arteve, Roland Xhoxhi, kreu i shoqatës “Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi dhe ish-drejtori i QKF Durrës, Naim Kërçuku të cilat mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme.

M.B.