Të bjerë shi apo të mos bjerë? Kjo është dilema hamletiane me të cilën përballemi ne, qytetarët e Durrësit, sa herë qyteti përfshihet nga reshje të dendura, që fatmirësisht zgjasin vetëm një orë pa ndalim. Në të kundërt do të ktheheshim në një Venecia të vogël, e mund të thithnim turistë edhe gjatë sezonit të dimrit. Mëngjesi i së shtunës gdhiu i vrenjtur dhe shiu që gjatë natës kishte lagur rrugët e qytetit ia nisi me rrebesh si për t’i paralajmëruar njerëzit që të mos dilnin nga shtëpitë.

Më fatlumë u ndjenë ata që e kishin ditë pushimi dhe mund të flinin rehat deri vonë, ndërsa ata që ishin në punë u munduan të kufizonin lëvizjet. Megjithëse ra vetëm rreth një orë shi i dendur, rrugët u përmbytën, madje disa akse u bënë të pakalueshme për kalimtarët. Me pak fjalë, Durrësi të ofronte një imazh me të cilin qytetarët tashmë bashkëjetojnë sa herë bie shi.

Madje disa prej tyre nuk kishin nguruar të shkrepnin foto dhe t’i postonin ato në rrjetet sociale. Pikërisht duke parë ato foto dhe duke lexuar komentet e tyre nuk kishte sesi mos të të tërhiqej vëmendja, pasi megjithëse pjesa më e madhe e tyre i kishin kthyer ato në formën e shakave (n.q.s. je tek porti merr një peshkarexhë e hajde nga zyra ime se e ankorojmë këtu para,- shkruante një qytetar) zhgënjimi dallohej qartë tek fjalët e gjithsecilit, zhgënjim që buron nga situata që përsëritet vazhdimisht dhe që duket se nuk do të gjejë zgjidhje.

Në pamundësi për të ndryshuar gjendjen, ata tentojnë ta marrin me të qeshur, por në përfundim komenti i ngjason një shakaje të hidhur, që prek shumë prej nesh, por aspak ata që kanë në dorë të ndërhyjnë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Megjithëse investimet e bëra, shtresat e asfaltit të hedhura, rrugët e rikonstruktuara disa herë, e po disa herë të hapura sërish, zemra e qytetit, lagjet kryesore të tij vazhdojnë të përmbyten si gjithnjë. “Ne në zemër të Durrësit edhe mbytemi në ujë. Kur bie shiu nuk kalojmë dot për të hyrë në hyrjet tona. Jemi zona Nr.1 e Durrësit. Se si do të shkojë puna jonë nuk dihet. Bashkia as që e vë ujin në zjarr për të na ardhur në ndihmë. Vijnë ujërat nga lagjet sipër e përmbytemi ne”,- shkruante një qytetare në komentin e saj.

Po sa të tjerë si ajo kanë pasur këtë fat mëngjesin e së shtunës. Sa të tjerë si ajo do të kenë këtë fat në javët dhe muajt në vazhdim, sepse nuk duhet të harrojmë se sapo kemi hyrë në stinën e shirave. Ndërsa lutemi për pak shi, kur pluhuri dhe smogu mbulojnë qytetin, ditë të tjera lutemi sërish që shiu të pushojë sepse rrjeti ynë i kanalizimeve nuk mund të përballojë as disa milimetra reshje. Është për të ardhur keq që ndërsa gjithë këto vite pallatet shumëkatëshe kanë ngritur krye në të gjithë qendrën e Durrësit është menduar vetëm për të maksimizuar fitimet në një afat të shkurtër, ndërkohë që nuk është bërë asnjë studim paraprak për të ofruar një zgjidhje afatgjatë në drejtim të rrjetit të kanalizimeve.

Situata më e rëndë gjatë ditës së shtunë u krijua në afërsi të hyrjes së portit, përgjatë rrugës Egnatia, dhe në rrugën që të çon drejt Currilave. Tradicionalisht këto rrugë janë përmbytur në dhjetëvjeçarin e fundit dhe pavarësisht premtimeve të disa kryetarëve vendorë problemi nuk ka gjetur zgjidhje, madje është përkeqësuar. Për të mos folur këtu për rrugën që të çon deri tek universiteti, e cila sërish këtë vit rrezikon të bëhet e pakalueshme, nëse argjila e kodrës do të nisë të rrëshqasë.

As këtu asnjë investim nuk është realizuar dhe as që pritet të realizohet sepse jemi në vit krize, bashkia nuk ka para as për pagat e saj, jo më për investime publike. Po kështu edhe qeveria, që prej muajsh e ka shtrënguar rripin, megjithë deklaratat optimiste të kryeministrit Berisha për rritjen ekonomike. E parë në këtë prizëm, qytetarëve të Durrësit edhe këtë vit nuk duhet t’u kalojë aspak nëpër mendje se do shpëtojnë pa iu lagur këmbët, pa e parë hyrjen e pallatit të tyre të mbuluar nga uji, pa rrezikuar të bien në ndonjë prej pusetave pa kapak, apo pa pirgjet e baltës deri në trotuar.

Mjafton vetëm t’i llogarisim që më parë lëvizjet e tyre dhe në kohë me shi të marrin me vete çizme llastiku. Nuk do ishte keq të mësonin edhe disa akrobacira, në të kundërt do t’u duhet të heqin këpucët e të përveshin pantallonat. Mund t’i drejtojnë edhe lutje Zotit, që të mos bjerë shumë shi, por nga ana tjetër Fierza rrezikon të thahet. Keq kështu e keq ashtu populli i shkretë.