Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Durrës dhe njëkohësisht deputeti i kësaj force politike, Ferdinand Xhaferraj në një komunikim për mediat reagoi për situatë e rënduar me plehrat në qytetin e Durrësit.

Xhaferraj theksoi se pastrimi i qytetit të Durrësit është kthyer në një dështim të madh për shkak të arrogancës, korrupsionit dhe paaftësisë së autoriteteve.

“Unë do të thoja që mes dështimeve të kësaj qeverie në Durrës, pastrimi i qytetit është dështim i madh. Është dështimi ku bëhet fjalë arroganca, korrupsioni dhe paaftësia. Të gjithë jemi dëshmitarë që tre ditë më aprë, u bë bashkë qeverisja qëndrore dhe lokale duke e shpallur Porto Romanën emergjencë mjedisore. Erdhi edhe deputeti më i ri i Durrësit, Edi Rama dhe tha Porto Romanën do e bëjmë “Ecopark”. Çfarë shohim sot, i gjithë Durrësi, është bërë si Porto Romano, i gjithë Durrësi është në emergjencë mjedisore.”- shprehet Xhaferraj.

Nga ana tjetër banorët e zonës shprehen se nuk mund të qëndrojnë dot në shtëpitë e tyre për shkak të erës së rëndë të krijuar nga grumbullimi i plehrave.

“Vjen erë e rëndë, këtu vijnë kamionët i shkarkojnë natën, mbledhin gjithë Durrësin. Mbrëmë kanë mbledhur Plazhin, u munduam dje me i hequr, por kanë ardhur gjithë natën dhe e kanë mbushur katërfish,”- shprehet një nga banorët.

“Unë nuk rri dot në shtëpi nga era e keqe, këtë problem kam unë. Nuk kanë pse ti sjellin plehrat këtu, kanë vendin e caktuar plehrat nuk ka pse ti hedhin plehrat vend e pa vend. Shkova te administrator i komunës, tha nuk di gjë. Ne nuk kemi ku me u ankuar, bllokuam rrugën, erdhi policia, këta thonë ik”- tha një banorë tjetër.