Pranë pistës Bleart në zonën e Shkëmbit të Kavajës, mbi 70% e pushuesve që qëndrojnë aty janë të huaj. Pjesa më e madhe janë çekë, polakë, austriakë, ukrahinas, por nuk mungojnë gjermanët dhe holandezët.

Karin Namen është një turiste 55 vjeçare, e cila për herë të dytë së bashku me bashkëshortin e saj kalojnë pushimet e tyre në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ata janë me origjinë nga Bosnja, por kanë jetojnë në Frankfurt. Në  një intervistë për Durrës Lajm, Namen tregon se çfarë i pëlqen në vendin tonë dhe pse i bën pushimet në Durrës.

Zonja Nemen, pse keni zgjedhur të pushoni në Durrës, tek Shkëmbi i Kavajës?

Ky është një  plazh i mrekullueshëm, qyteti, njerëzit, të gjthë janë të mrekullueshëm. Për këtë arsye kam ardhur për herë të dytë në Durrës. Do të qëndrojmë së bashku me bashkëshortin  7 ditë këtë radhë.   

Nga jeni, ku banoni?

Ne jetojmë në Frankfurt, Gjermani, me origjinë jam nga Bosnja. U nisëm nga Gjermania, dolëm në Bosnjë, hymë nga kufiri me Malin e Zi në Shkodër. Vizituam Shkodrën, Tiranën, Krujën dhe më pas erdhëm në plazh ku do të qëndrojmë 7 ditë. Në të gjitha vizitat që kemi bërë në qytetet shqiptare jemi mrekulluar, sepse njerëzit janë shumë të dashur e mikpritës. Klima juaj, deti, ushqimet, të gjitha janë natyrale. 

Zonjë, po çmimet si ju duken? Sa shpenzoni në ditë?

Kjo është e bukura juaj. Këtu gjithçka është shumë lirë. ne nuk shpenzojmë dot as 100 euro në ditë. Më pak shpenzojmë, ndërkohë që shkojmë dhe hamë mish të freskët të pjekur tek një lokal në kodër, ose peshk të freskët në restorant. Gjithcka që do është në plazh, që prej frutave të freskëta, perimeve etj. Këtu nuk të duhen shumë lekë. Kuptohet që këtu nuk është Bahamas, as Seychelles, është Shqipëri.

Pse e doni këtë plazh?

Këtu ka hotele të mira që kujdesen për klientët e tyre në maksimum. Ne e shikojmë në sytë e të gjithë njerëzve që na duan. E shikojmë që bëjnë maksimimin për të na kënaqur, dhe kjo është shumë e veçantë është një vlerë që keni ju si shqiptarë.

Zonjë, çfarë ndryshimi ka plazhi tek ne nga vendet ku ju keni qënë më parë?

Kam qënë në Egjipt, Turqi, Tunizi, në Itali e Mal të Zi me pushime si familje. Atje kujdesen njësoj si për plazhin, ashtu edhe për pishinat. Tek ju kujdesi për pishinat është i madh, ka roje sigurie, gjë që nuk ndodh në det. Mendoj që me të njëjtin rigorozitet duhet të kujdesen njerëzit edhe për pastërtinë e detit. Duhet të jetë më i pastër deti ashtu si pishinat.