Durrësi sot është zgjuar i qetë, pa zhurmën e përditshme të njerëzve në rrugë, lokale, restorante apo ambiente që janë në ditë të zakonshme të populluara.
Urdhri i qeverisë Rama për të mbyllur të gjitha lokalet, baret dhe restorantet në Durrës dhe në Tiranë deri në një njoftim të dytë ka boshatisur tërësisht zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar.
Po ashtu, duke nisur nga dita e sotme 12 mars, është pezulluar edhe shërbimi i transportit publik për një afat të pacaktuar.
Kostoja e gjithë kësaj situate rëndon në portofolin e dhjetëra e qindra bizneseve që ushtrojnë aktivitetin këtu apo në lagje dhe rrugë kryesore dhe periferike të Durrësit, por është një masë e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, që regjistroi viktimën e parë. Një 73-vjeçare nga Durrësi humbi jetën mesditën e së mërkurës.
Masat e reja të propozuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve janë si vijojnë:
1. Mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht.
2. Caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës.
3. Caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij.
4. Vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik.
5. Reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës! Sa me siper, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për veten tuaj, për familjet tuaja dhe për familjet e punonjësve tuaj.





