Një pjesë e rrugëve të ish-Kënetës apo "Durrësit të Ri" siç e quajti kohë më parë kreu i qeverisë, vijojnë të jenë të parregulluara e të pa ndriçuara. Kjo zonë ndodhet vetëm pak kilometra larg nga qendra e Durrësit, por infrastruktura e munguar të çon tutje qytetit bregdetar.
Pamjet e paraqitura nga "DurrësLajm", vijnë nga rruga "Danubi" në lagjen 14, ku vende-vende i vetmi ndriçim është ai që vjen nga banesat. E siç mund ta shikoni në videon e mëposhtme, banorët gjejnë ngushëllim nga drita e telefonit për të ecur në terr të plotë.
Ashtu si shumë investime të tjera në vend, edhe një pjesë e rrugëve të asfaltuara e të pajisura me shtylla ndriçimi të Ish-Kënetës u inauguruan në prag zgjedhjesh për të mos u kujtuar më për pjesën që mbeti, gjatë mandatit të siguruar.
Errësira mbretëron kudo, çka rrit rrezikshmërinë e vjedhjeve të cilat nuk janë të pakta në këtë zonë apo edhe të ngjarjeve më kriminale.
Por edhe nëse lëviz gjatë ditës në këtë rrugë, sërish situata është shqetësuese për banorët pasi mungon infrastruktura. Ndërhyrja e fundit është kryer kohë më parë nga vetë qytetarët me të ardhurat e tyre, ku siç duket në foto ngjason me rrugën e një vendi të shkretë e të humbur.
Problematike situata bëhet sidomos në kohën e reshjeve, ku në shumë raste, përmbytja e rrugëve nga shirat ka penguar edhe nxënësit të ndjekin mësimin në shkollë, pasi bëhen të pakalueshme.
Nga burime zyrtare pranë njësisë administrative nr.6, mësohet se për të disatën herë, kryetarit Vangjush Dako i është dërguar një kërkesë ku kërkohet përfshirja e një fondi në buxhetin e bashkisë, për të rregulluar rrugët e mbetura në gjendje mjerane, por deri më sot, një vendim i tillë ende nuk është shqyrtuar në Këshillin Bashkiak.
Ndaj edhe banorët duhet të presin zgjedhjet e qershorit të 2019-ës, kohë ndoshta kur problemi i tyre mund të marrë zgjidhje!





