· Info e “Dyrrahut” / Një udhëtim i shpejtë në epoka nëpër qytetin që
përballoi katastrofa natyrore
· Zona Durrës-Tiranë bën pjesë në brezin e fuqishëm tërmetor Jonik-Adriatik, brezi më sizmik i vendit
DURRËS, 16 maj 2013– Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Evropë, thonë sizmologët dhe gjeologët shqiptarë dhe të huaj, “Dyrrah”-u ka konsultuar literaturë shkencore të shkencëtarit Eduard Sulstarova dhe kolegëve të tij të respektuar me emër ndërkombëtar.
Shumica e tërmeteve të forta ndodhin në 3 breza sizmikë:
a) brezi tërmetor Jonik-Adriatik në buzën lindore të mikro-pllakës së Adrias me shtrirje veriperëndim-juglindje,
b) brezi tërmetor Peshkopi-Korçë me shtrirje veri-jug, dhe
c) brezi tërmetor Elbasan-Dibër me shtrirje veri-lindje
Zona Durrës-Tiranë bën pjesë në brezin e fuqishëm tërmetor Jonik-Adriatik, brezi më sizmik i vendit.
Zona Durrës-Tiranë është goditur nga tërmete të forta, ku mund të përmenden ato që kanë pasur epiqendrën në zonën Tiranë-Durrës, në vitet 58, 334, 346, 506, 1273, 1617, 1852, 1860, 1926, 1934, 1970 dhe ai i vitit 1988.
Kronologjia
· Tërmeti i vitit 58, shkatërrues në Durrës me Ms=6.3 dhe I0=5 ballë MSK-64.
· Tërmeti i vitit 334, shkatërrues në Durrës dhe fshatrat rreth tij.
· Tërmeti i vitit 346, shkatërrues në Durrës, si dhe valë detare (tip cunami) mbuluan qytetin me Ms=6.6, Is=9 ballë MSK-64.
· Tërmeti i vitit 506, shkatërrues në Durrës dhe fshatrat rreth tij; sipas të dhënave historike, duke filluar nga shekulli i VI-të Durrësi, pësoi rrënime të mëdha nga tërmetet e fortë me Ms=6.3, I0=8.5 ballë MSK-64.
· Tërmeti i marsit 1273 (Ms=6.6, I0=9 ballë MSK-64), katastrofik; Durrësi u shkatërrua plotësisht, vetëm akropoli mbeti pa u dëmtuar; sipas historianit Pachymeris, ky qytet u shndërrua në një grumbull gërmadhash; pati shumë viktima; u ngritën valë detare (tip cunami); tërmeti u parapri nga shumë para-goditje; në atë kohë qyteti kishte 25 mijë banorë; ata që mbetën gjallë, u shpërngulën për në Berat.
· Tërmeti i Krujës i vitit 1617 me M0=6, I0=8 ballë MSK-64.
· Tërmeti i 26 gushtit 1852 (Ms=6, I0=8 ballë MSK-64), u shkatërrua kisha e Shën Antonit në Kepin e Rodonit.
· Tërmeti i 16 majit 1860 (M0=6, I0=8 ballë MSK-64); u shkatërruan fshatrat rreth Urës së Beshirit (në afërsi të Tiranës).
· Tërmeti i i vitit 1926; në dhjetor te vitit 1926 Durrësi dhe rajoni rreth tij u goditen nga një seri tërmetesh të fuqishme; goditja e parë ndodhi më 16 dhjetor në orën 17:54,e cila u pasua nga goditje të tjera më të forta më 17 dhjetor, kur në orën 06:20 një goditje e fortë dhe një tjetër më e fortë në orën 06:31, kapi Durrësin dhe Shijakun, ku u dëmtuan dhe u shkatërruan shumë ndërtesa; kjo goditje me (M=5.8) u pasua nga shumë të tjera (M=4.2 e M=4.4); dëmtimet më të mëdha i shkaktoi goditja e orës 11:39:50, e cila pati një magnitudë Ms=6.2 (sipas buletinit te Sarajevës Ms=6.5), I0=9 ballë MSK-64; kjo goditje shkaktoi dhe dëmtoi rëndë shumë ndërtesa në Durrës, Kavajë dhe Shijak, si dhe ne fshatrat përreth; në Durrës u shkatërruan shumica e shtëpive, u rrëzuan minaret e xhamive; një portë e kalasë së vjetër u shkatërrua plotësisht; dëmtime të rënda pësuan edhe disa ndërtesa të mira të qytetit, ndërsa ato me skelet betonarme pësuan dëmtime më të lehta; në Kavajë u dëmtuan të gjitha shtëpitë dhe u këputën të gjitha minaret; dëmtime të rënda pësuan fshatrat Romanat, Bozaxhije, Ndroq dhe Rrogozhinë; midis Durrësit dhe Shijakut pati shatërvanë me ujë të nxehtë sulfuror dhe pseudo-vullkane balte, rëre dhe uji.
· Tërmeti i 4 shkurtit 1934; në orën 09:35, goditi fshatrat e Ndroqit, Kërçukajt, Bozaxhijes, Romanatit, ku u dëmtuan 283 shtëpi, nga të cilat 107 u dëmtuan fare; dëmtime serioze u vunë re edhe ne Durrës: epiqendra duhet të jetë në afërsi të Ndroqit, në koordinatat 4115°N 19 89°E. Ms=5.6, Io=8 ballë MSK-64.
· Tërmeti i 19 gushtit 1970; në orën 02:01, goditi me Ms=5.5 goditi rrethin e Tiranës, duke shkaktuar dëmtime serioze në fshatrat e Vrapit dhe Baldushkut si dhe qytetin e Kavajës, ku u dëmtuan rëndë 90 shtëpi; dëmtime të lehta pati në Tiranë, Elbasan, Durrës, Peqin dhe Lushnjë; epiqendra e këtij tërmeti ndodhet në koordinatat 41.10° N 19.45° E. me Ms=5.5 dhe I0=7 ballë MSK-64; është ndier I0=6 ballë në Durrës.
· Tërmeti i 9 janarit 1988, (Ms=5.4 dhe I0=7.5 ballë MSK-64 në zonën e Yzberishit), dëmtoi edhe qytetin e Tiranës, ku intensitetet e vrojtuara luhateshin nga 6 ne 6.5- 7.0 ballë; nxitimi maksimal i regjistruar në afërsi të thyerjes aktive (në stacionin sizmologjik të Tiranës) arrinte PGA=0.4g në komponenten LP, PGA=0.1g në komponentin VJ dhe PGA=0.07g në komponenten vertikale Z, ndërkohë që kohëzgjatja e tij nuk i kalonte të 6 sekondat; kjo është edhe një nga arsyet përse intensiteti i vrojtuar në zonën epiqendrore nuk i kalonte 7-8 ballët (MSK-64), ndërsa në qytetin e Tiranës nuk i kalonte 6-7 ballët (MSK-64); është ndierë 6 ballë në Durrës.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





