DURRËS, 3 dhjetor 2014 –  Në Durrës mund të bëhet edhe një lloj turizmi gjithëvjetor, ekzotik: “Turizëm Ushtarak i Luftës së Ftohtë”, pasi nëntoka e qytetit bregdetar është dyfish e pasur me monumente 3-mijëvjeçare dhe “monumente” të inxhinierisë ushtarake 30-35-vjeçare. 

Kodrat piktoreske fshehin një qytet tjetër nëntokësor, shumë-shumë më i pasur se “Bunk-art”-i i Tiranës, mjafton të organizohet një partneritet shtet (bashki, prefekt, ministri Mbrojtjeje) – privat (operatorë turistikë me paketa “ushtarake”, biznese ushqimore etj.).

Këto ide i ka shprehur dhe një nga ekspertët më të shquar të inxhinierisë ushtarake, Besnik Alibali, i cili ka bërë një listim të objekteve nëntokësore: 

Nën rrugën e “Stan”-it dhe kodrën e Vilës Mbretërore 

vendstrehim për parkimin e 300 automjeteve të tonazhit të rëndë. Janë 6 tunele, në hapësira të komandueshme.

Në Kodrën e Kokomanëve

tuneli i ish-“Vendkomandës-komiteti i partisë”, i betonuar, me 85 objekte (zyra, fjetore, salla, mjedise hidrosanitrare etj.).

Te “Depoja e Vangjelit” 

tunel-frigorifer me kapacitet 300 tonë; përdorur në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar për depozitim të prodhimeve të mishit, djathit, perimeve etj.

Përtej liqenit artificial në kodrat e qytetit: 

magazinat e tregtisë, me ndarje me shumë xhepa e mjedise.

Afër ish-repartit ushtarak të tankeve: 

spitali civil, i projektuar për 500 shtretër, i plotësuar me të gjitha mjediset e mjekimit e shërbimit (salla operacionesh, farmaci etj.), një depo uji me rezerva të mjaftueshme për një vit; por mungon rrjeti hidraulik dhe elektrik, si dhe aspirimi dhe kondicionimi;

stalla e lopëve me kapacitet mbarështimi për 500 krerë, përfunduar edhe me ajrim; 

fabrika e bukës për 80 mijë banorë;

fabrika e blojës, e përfunduar dhe e pajisur;

punishte rrobaqepësie e betonuar;disa punishte të tjera.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/