Nga pika e grumbullimit të mbeturinave në Porto Romano, kryeministri Edi Rama deklaroi se Durrësit, që dikur ishte një plagë e hapur mjedisore sipas tij, do t’i shtohet një eko-park, që i jep mushkëri kësaj zone.

Rama theksoi se opozita e vendit sot, kur ishte dje në pushtet, nuk bëri asnjë projekt me standarde europiane deri në fund.

“Durrësi më parë ishte një plagë mjedisore dhe ky qytet turpërohej e Shqipëria turpërohej. Ndërkombëtarët bënin dokumentare në Porto Romano, ku male të tëra kalbeshin mbi dhe e ndikonin në ajrin e shëndetin e njerëzve, duke ndikuar në imazhin e një qyteti që ka të gjitha potencialet për të qenë qytet shumë i shfrytëzuar nga ana turistike. Sot në Durrës bëmë transformim të jashtëzakonshëm. Do të bëjmë eko-park në këtë qytet, duke i dhënë mushkëri Durrësit. Ky vend vuan nga një opozitë serioze. Kemi ndihmuar njerëzit që janë më shumë në nevojë. Opozita le të na tregojë një shkollë apo çerdhe që kanë bërë kur ishin në pushtet e që janë në standardet e atyre që kemi bërë ne. Ne do të ndërtojmë lagje të reja, rishtas nga e para. Të na tregojnë një rrugë që e kanë bërë nga fillimi në fund me standarde europiane. Edhe Rrugën e Kombit e lanë rrugëve. Sot ajo vepër po përfundon e po mirëmbahet. Nuk kanë bërë asgjë as për shëndetësinë”, deklaroi Rama.