Kandidati i koalicionit “Bashkë” Fitojmë për Bashkinë e Durrësit, Igli Cara tha në takimin përmbyllës të fushatës se vota e qytetarëve do të sjellë ndryshimin.
Cara tha ai do të punojë për të krijuar më shumë mundësi e do të mbështesë familjet, pavarësisht ku jetojnë.
Më tej ai shtoi se në rast se ai fiton, do të garantojë transparencë në mbledhjen e taksave e do t’i japë prioritet buxhetit të bashkisë.
“Ne ia dolëm së bashku të zhvillojmë një fushatë model të mbanim gjallë opozitarizmin në Durrës. Ia dolëm të besojmë te njëri tjetri dhe të qëndrojmë fort sepse Durrësi jemi ne. Ia dolëm me qytetarin dhe urtësinë e durrsakëve. Ia dolëm të jemi në çdo njësi administrative, të shihnim njëri tjetrin në sy, të bisedonim për problemet dhe hallet e qytetit.
Ne ia dolëm që ëndrrat, dëshirat, shpresën dhe vizionin tonë për Durrësin e të nesërmes ta bënim bashkë, Ia dolëm të bëhemi bashkë me çdo opozitar të regjimit. Durrësi jemi ne. Të dashur bashkëqytetarë. Ne së bashku kemi bindjen që ndryshimi i madh më 14 Maj do të nisë përmes votës tuaj sepse Durrësi ka forcën dje shpirtin t’i kapë goditjen bandës së Edi Ramës. Do punojmë me besimin në Zot dhe te njëri tjetri. Ne së bashku do kemi prioritet të parë mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve dhe për këtë do hartojmë një sërë politikash. Duke krijuar më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë dhe duke mbështetur çdo familje pavarësisht ku jeton.
Do të punojmë për integrimin e zonave të reja urbane. Mbrojtja e mjedisit do të shndërrohet në një komponent kryesor të zhvillimit. Do japim prioritet menaxhimit të buxhetit të bashkisë. Do garantojmë transparencë dhe eficencë në mbledhjen e taksave. Ne së bashku do punojmë fort për ta kthyer Durrësin në bekim të Zotit duke bashkëpunuar me investitorët dhe duke u përpjekur të bëjmë gjithçka që bashkia ka për detyrë të bëjë”, tha Cara.