I angazhuar që në fillim të viteve ’90 me kompaninë e ndërtimit që e ngriti në Durrës së bashku me mikun e tij Hajdar Kovaçi, arkitekti Edgar Frashëri është kritik për mënyrën sesi është zhvilluar qyteti bregdetar në këto 30 vite tranzicion.

“Durrësi ato rrugë që ka pasur, ato ka. Nuk ka ndryshuar. Skema e trafikut, skema e qytetit është po ajo. Asnjë rrugë e re nuk është bërë me përjashtim të asaj që është paralel me murin e portit, që është një lloj unaze e sajuar në mënyrë amatore”,- thotë ai në një prononcim për “DurrësLajm”.

Kaosin me ndërtimet, që e shndërruan qytetin buzë detit në qytet të betonizuar, arkitekti Frashëri ia atashon babëzisë për të ndërtuar nga ana e personave që nuk e njihnin këtë sektor dhe lumit të parasë që u hodh përgjatë viteve.

“Firmat e ndërtimit në atë kohë i bënim ne që ishim profesionistë. Tani kush nuk bëri firmë, bëri edhe një kapter ushtrie, që ishte shumë i fortë. Eshte punë paraje. Në fillim nuk kishte para, pastaj kur nisi të grumbullohej paraja luajti rolin e vet në vendimmarrje. Durrësi, ç’është e vërteta, ka ikur në mënyrë kaotike”.

Nëntoka e Durrësit është një nga asetet më të vyera të qytetit 3000-vjeçar, por vala e ndërtimeve pa kriter e ka dëmtuar rëndë. Për Frashërin është e pakuptimtë që të zbulosh site mjaft të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe më pas t’i mbyllësh brenda pronave private. sinkron

“Unë di që janë varrosur objekte shumë të rëndësishme për interesa personale, siç ishte lagjja romake. Nuk kanë vlerë ato kur i fut në bodrume, në themele. Apo mozaiku që është future në oborrin e një shtëpie dhe ai që e ka marrë atë oborr thotë do ta ruaj unë. Mozaiku nuk ka pse të ruhet nëntokë. Duhet të jetë i ekspozuar, që ta shohin, të bëhet atraksion turistik. Për këtë duhet të vijnë turistët në Durrës”.

Morisë së ndërtimeve shumëkatëshe që kanë hedhur shtat në 30 vite, pritet t’i shtohen të tjera, që do të jenë pjesë e projektit “Durrës Marina”. Parimisht arkitekti Frashëri është pro këtj projekti.

“Mirë është që të kthehet në port jahtesh. Këta i kanë bërë llogaritë atje, i kanë bërë hesapet. Po të bëhet, jo të fillojë dhe të mbetet rrugës”.

Për Frashërin, ndërtimi i një porti jahtesh është domosdoshmëri për qytetin bregdetar dhe vlerë e shtuar për ekonominë. Ai shprehet skeptik për godinat shumëkatëshe të projektit 2 miliardë euro, por ndërtimi apo jo i tyre mbetet të shihet në vazhdimësi.

M.B.