DURRËS 1 tetor 2014 –   Shumë qytetarë durrsakë nuk e dinë se qyteti ka një shenjtor të vetin.

Sot më 1 Tetor kalendari ortodoks përkujton Joan Kukuzelin ose Shën Jan Kukuzelin. Në liturgjinë e mbajtur sot paradite në kishën e Shën Palit dhe Astit u përkujtua pikërisht ky shenjtor.

Ai ishte një murg ortodoks nga Durrësi i njohur nga bashkëkohasit e ti si: himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine.

Shumë kanë shkruar për të – historianë, filologë, muzikologë – nga Lindja e nga Perëndimi, të huaj e vendas. Për të janë shkruar shumë më tepër nga çdo kompozitor kishtar. Veprat e tij, në dorëshkrime, janë thesare të shek. XIV. Kisha Orthodhokse në mbarë botën e nderon këtë figurë si shenjtor të saj dhe kujtimin e tij e feston çdo 1 tetor. Joan Kukuzeli është pikturuar si kompozitor dhe si shenjtor në mjaft miniatura dorëshkrimesh, në afreske dhe piktura murale. Ikona të tij janë pikturuar në Manastirin Kutlumusi (Mali i Shenjtë) manastirin e tij në Malin e Shenjtë, në Shqipëri në Manastirin e Ardenicës, Greqi, Bullgari etj.

Për kontributin e tij të veçantë, pse jo të jashtëzakonshëm në fushën e artit muzikor, të kishës ortodokse bizantine, Kukuzeli është shpallur nga kjo e fundit "Agjios" – i Shenjtë dhe gjithmonë sipas rregullave klerikale të Kishës Ortodokse, për çdo "të shenjtëruar", përpilohet biografia apo "vita" siç thirret, e cila përmbledh në vargje tërë jetën dhe të dhënat biografike të njeriut të shenjtëruar.

Tepër e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit”. E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte.

Edhe qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë duke e kujtuar kontributin e madh e të çmuar dhe duke i dhënë  emrin e tij, “Jan Kukuzeli”, Shkollës së Mesme Artistike të qytetit.

/g.r.b. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/