Nga Gjergj Meta
Një legjendë mitologjike don që Dyrracchius të ishte i biri i Poseidonit dhe Melisës. Poseidoni mbrëmjeve, kur Melisa, e bija e Epidamnit, dilte buzë detit për të shëtitur, joshet prej saj e dashurohet me të. Nga dashuria e Poseidonit dhe Melisës lindi Dyrracchius dhe qytetit iu vu emri Dyrracchium pikërisht prej birit të tyre. Gati-gati një qytet hyjnish, i cili edhe sot, pavarësisht nga shpërfytyrimet arkitektonike, pjellë e mendësisë moderne të betonit, ka ende atë tërheqjen e tij joshëse. Është një joshje që qytetit të Durrësit i vjen jo vetëm nga bregu i detit, që fatkeqësisht është shëmtuar nga ndërtimet e gjithfarë lloji, por edhe nga qetësia dhe mirësia e njerëzve të rrënjosur në vlerat më të mira qytetare. Ndër këto vlera, çka më ka bërë përshtypje në kthimin tim në Durrës pas gati 20 vjetësh është sensi i familjes. E ndoshta për besnikëri edhe ndaj këtij miti kaq tërheqës.
Durrësi në darkë është një qytet i heshtur. Njerëzit mblidhen në familjet e tyre gati menjëherë pas punës. Madje nuk është diçka tabu që të rinjtë preferojnë shpesh të pinë kafe e të shëtisin me prindërit e tyre. Durrësi e do familjen dhe e ruan atë. Pavarësisht se si qytet bregdetar ai është një kryqëzim kulturash e prejardhjesh, ai nuk ndikohet nga ata që vijnë e ikin, por bën për vete këdo vjen këtu, duke i dhënë pak nga identiteti i tij.
Prandaj edhe m’u duk shumë normale që Zyra Rajonale e Shërbimeve Sociale të Ministrisë së Mireqënies Sociale dhe Rinisë të organizonte në Durrës Ditën e Familjes, duke përfshirë të gjithë shoqërinë durrsake dhe më gjerë. Dita Botërore e Familjes, që e ka datën e vet pikërisht më 15 maj, e shpallur nga OKB me anë të rezolutës 47/237 të 20 shtatorit 1993, ka për qëllim jo vetëm promovimin e familjes, por edhe mbështetjen e saj nëpërmjet programeve të subsidaritetit. Familja, kjo qelizë e shoqërisë sikurse e përkufizon edhe vetë OKB (basic unit of social life), ka nevojë sot më shumë se kurrë të mbrohet e të promovohet.
Në fakt, familja sot është e sprovuar dhe e tronditur në themelet e saj. Kur përmendim familje menjëherë mendja na shkon në afektet tona parësore dhe zanafillëse, nëna, babai, gjyshi, gjyshja, motrat dhe vëllezërit. Familja e së drejtës romake shtrihej shumë e më shumë. Pjesë e familjes ishin edhe shërbëtorët. Edhe në realitetin historik shqiptar familja ka pësuar shndërrimet e saj strukturore, por duke mbajtur të paprekshëm ende thelbin dhe themelin e kësaj strukture, d.m.th. martesën ndërmjet burrit dhe gruas. Në fakt, problemet e familjes sot nisin nga kjo marrëdhënie, pra ajo burrë grua e cila është më e brishtë se kurrë, për arsye të shumë faktorëve. Ndryshimi kulturor dhe mjedisor në realitetin bashkëkohor ka sjellë edhe ndryshime në formimin dhe sjelljen e individit. Qoftë individi grua e qoftë ai burrë sot kanë ndryshuar shumë. E gjithashtu ka ndryshuar edhe marrëdhënia e tyre. Ky ndryshim antropologjik mbart me vete edhe ndryshime në strukturën shoqërore. Për këtë duhet të vetëdijësohemi të gjithë. Bashkë me këto ndryshime që kanë prekur individin është prekur edhe marrëdhënia burrë-grua, e pra edhe familja.
Prandaj që forcimi i familjes më së pari duhet të niset nga vetëdija e kësaj marrëdhënieje primordiale, e cila i jep zanafillën jetës. Por kjo nuk mund të ndodhë pa një edukim qysh në fëmijëri me të qenit mashkull e femër i fëmijëve dhe adoleshentëve. Shpesh për fat të keq në familjet tona rriten fëmijë ose me mendësi patriarkale, në të cilat promovohen forma sundimi të ndërsjellë, më shumë se sa forma respekti, ose nga ana tjetër gjithnjë e më shumë ky model patriarkal po merr përgjigje të një ekstremi tjetër, i cili është po aq i dëmshëm për familjen. Humbja e ndjenjës së përkatësisë ndaj një bashkësie, aftësia për të mos marrë vendime, identitetet gjithnjë e më të brishta të personaliteteve të të rinjve, bëjnë që marrëdhënia burrë-grua të jetë në shënjestrën e relativizimit të gjithçkaje.
Por përveçse një ndryshimi në sferën individuale, i cili kushtëzon thellë aftësinë vendimmarrëse të të rinjve për martesë, sot një pengesë gjithnjë e më e madhe është edhe çështja ekonomike. Si mund të vendosin dy të rinj që nuk kanë punë, nuk kanë një të ardhur, për të nisur një jetë familjare? Të jemi konkretë deri në fund. Nuk mjafton qëllimi i mirë dhe vullneti i mirë. Është mëse e nevojshme që strukturat shoqërore dhe qeverisëse të subvencionojnë ëndrrat e të rinjve për të ngritur një familje. Dashuria midis dy të rinjve është sigurisht në themel të një jete familjare, por që të ndërtojmë ngrehinën duhen subside e mjete konkrete. Ndaj politikat e punës duhet t’u japin hapësirë të rinjve, sidomos atyre që kanë dëshirë të nisin një familje të re. Po ashtu mundësia dhe lehtësirat që i duhet dhënë gruas në çastet kur ajo pret një fëmijë, ndihmojnë në konceptimin e jetës brenda familjes si një dhuratë, e jo si një peshë.
Prandaj një ditë kushtuar familjes në thelb duhet të marrë parasysh gjithë gamën e problemeve që ekzistojnë dhe duhet të nxisë reflektimin e të gjithëve se si ta forcojmë gjithnjë e më shumë familjen. Në këtë pikë, edhe komunitetet fetare duhet të japin kontributin e tyre në ndihmë të këtij institucioni bazik për jetën tonë. Jo rrallëherë institucionet fetare paraqiten si mbrojtësit e familjes. Kjo është e vërtetë, pasi së paku për Kishën Katolike familja, e themeluar mbi martesën heteroseksuale dhe monogamike, është një realitet që na shpërfaq atë dashuri të pamasë që Hyji ka për njerëzit. Jeta familjare është një shëmbëllim i jetës hyjnore. Te burri dhe gruaja, së bashku, Hyji ka gdhendur shëmbëllimin e tij e prandaj që Kisha kurrë nuk mund të heqë dorë nga familja dhe promovimi i saj. Por, nga ana tjetër, ajo është e angazhuar që të kuptojë e t’u gjendet pranë atyre familjeve apo situatave të veçanta të cilat për një arsye a një tjetër nuk mund të realizojnë atë familje që gjendet në shestimin e Hyjit. Jo pa qëllim Papa Françesku ka shpallur dy mbledhje, njëra pas tjetrës, në Vatikan (2014 e 2015) për t’u përballur me çështjen e familjes në kohën bashkëkohore. Si do të veprojë Kisha me familjet e ndara? Të divorcuara? Por me çiftet homoseksuale që de facto shpesh edhe për ligjislacionet civile të vendeve të ndryshme kanë një formë juridike njohjeje? Po me fëmijët që adoptohen prej tyre? Janë pyetje të cilave duhet t’u përgjigjemi tani dhe në të ardhmen.
Sigurisht, sfida të mëdha na presin, por festa e familjes në qytetin e Durrësit dëshmoi edhe një herë se njerëzit e duan familjen, se fëmijët duan pranë prindërit e tyre, nënën dhe babain që kanë një fytyrë dhe një identitet e i ndihmojnë të rriten për të ardhmen e tyre. Sa do të doja që kjo festë në Durrës të vazhdonte çdo ditë e, pse jo, ta kthente qytetin e Durrësit në Kryeqytetin e familjes!
http://www.panorama.com.al/2014/05/20/durresi-kryeqyteti-i-familjes/





