8 tetor 2015 – Rruga e plazhit në Durrës, segment në të cilin kalojnë tifozët e Kosovës drejt Rrogozhinës dhe Elbasanit, është kthyer kuqezi mëngjesin e sotëm. Pjesa më e madhe e të gjithë dyqaneve janë tejmbushur me simbolet kombëtare në vigjilje të ndeshjes Shqipëri-Serbi që luhet në mbrëmje në “Elbasan Arena”. Ka interes të jashtëzakonshëm ndeshja e mbrëmjes, dhe kudo në qytet, kryefjalë është kombëtarja.

Ka gëzim, ka pritje, ka shpresë tek të gjithë qytetarët, jo vetëm tifozët që janë veshur kuqezi. Të shumta janë automjetet që shëtisin me flamurin tonë kombëtar dhe simbolin e Shqipërisë së Madhe në këtë prag ndeshjeje. Të shumtë janë ata të rinj që janë veshur me bluza apo edhe shaje me simbolet kombëtare gjatë ditës së sotme, duke kryer aktivitetin e përditshëm.

Rreshjet e dendura të shiut, duket se kanë frenuar festimet, por nuk kanë mundur dot t’i ndërpresin ato. Atmosfera është ndezur në qytetin bregdetar, ndërsa në mbrëmje të gjithë presin të festojnë.

Një fitore ndaj ekipit serb do të thotë kualifikim i drejtprëdrejtë në Europianin që zhvillohet në Francë vitin e ardhshëm, dhe ky konsiderohet rezultat historik. Të gjthë qytetarët presin që në rast fitoreje të festojnë gjatë gjithë natës në rrugë e kudo në të gjithë qytetin. 

/portali DurresLajm/