Durrësi është kthyer në kryeqytetin e turistëve, jo vetëm nga vendi dhe Europa, por edhe nga Amerika e Australia e largët.
Në këtë fillim vjeshte, e cila ka nisur me temperatura te larta, hotelet në vijën bregdetare në Durrës po punojnë me kapacitet të plotë me turistët nga Europa qendrore dhe juglindore, të cilët vijnë të organizuar në ture 10 ditore e 2 javore, nëpërmjet agjencive turistike me linjat ajrore.
Agjensitë turistike bëjnë me dije se deri në fund të muajit shtator prenotimet janë të larta nga ana e turistëve polakë, çekë, hungarezë dhe ukrainas, të cilët në paketat e tyre turistike kanë të përfshirë vizitat në Durrës e Tiranë, në muze, në amfiteatër, tek rotonda romake etj. Të huajt tregojnë interes shumë të madh për vizitat në objektet historike e arkeologjike, për t’u njohur më nga afër me kulturën e vendit tonë, dhe të shkuarën e tij të memorizuar në këto objekte të lashta.
Ciceronët e huaj që ju shpjegojnë turistëve jo vetëm kulturën vendase, por edhe historinë e Shqipërisë shprehen se në vizitat e tyre të huajt janë të surprizuar me vizitat në Tiranë dhe në Durrës.
“Nga dy vite të shkuara ka mjaft ndryshim, në Tiranë gjithçka dukej ndryshe. Në Durrës na bien në sy objektet e vjetra, por edhe zhvillimi ekonomik i vendit tuaj. Jemi të surprizuar”, thotë ciceronia e një grupi me turistë polakë.
Durrësi me historinë 3 mijë vjeçare të tij ruan thesare të antikitetit, siç është amfiteatri romak, një prej katër më të mëdhenjve në botë.
Po këtë javë në Durrës kanë mbërritur edhe dy krocera, të cilat kanë hapur sezonin e vjeshtës me rreth 750 turistë. Krocerat, të cilat kanë një ndalesë një ditore në port, kanë sjellë turistë nga SHBA-të, Zelanda e Re, Australia e Britania e madhe.
K.H.





