*Punonjësit e bashkisë nxitojnë të largojnë dekorimet!

Nëse akoma nuk e keni përfunduar bakllavanë në shtëpinë tuaj dhe atmosfera e festave është akoma prezente, kjo nuk do të ndodhë më në ambientet publike. Ndërmarrja e dekorit të qytetit ka nxituar që përpara afatit të nisë punën për të hequr pemën e Krishtlindjeve nga qendra e qytetit, dhe të gjithë dekoracionet e vendosura në rrugë.

Data 6 janar shënon nisjen e punës për heqjen e dekorit të vendosur për festat e fundvitit, por punonjësit e bashkisë i kanë paraprirë afatit, për të kthyer ditët “rutinë” të janarit.

3.8 milionë lekë u akorduan nga bashkia e Durrësit për dekorin e qytetit në vitin 2015, shifër kjo 3 herë më vogël se qytete si Fieri apo edhe Gjirokastra. Të gjitha materialet e dekorimit të qytetit do të magazinohen për t’u përdorur sërish vitin e ardhshëm në festat e fundvitit. 

K.H.