18 maji, Dita Ndërkombëtare e Muzeve i gjen muzetë e Durrësit të mbyllura. Muzeu Arkeologjik qëndron i mbyllur për më shumë se një viti, pasi i është nënshtruar rikonstruksionit për shkak të dëmtimeve të marra nga tërmeti i vitit 2019.

Situata është edhe më kritike përsa i përket Muzeut Etnografik, i cili qëndron i mbyllur që pas fatkeqësisë natyrore, pasi dëmtimet që pësoi banesa 2 katëshe, e njohur si shtëpia e Aleksandër Moisiut, nuk mundësonin funksionalitetin e saj.

Por nëse muzetë ishin të mbyllura, të gjitha sitet e tjera arkeologjike dhe historike, si dhe monumente e trashëgimisë kulturore në Durrës ishin paraditen e sotme të mbushura plot me turistë dhe vizitorë, të cilët mund t’i vizitonin falas.

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Drejtoria Muzeore Durrës, ka planifikuar një sërë aktivitetesh deri në orët e vona të kësaj dite.

Për më shumë detaje ndiqni intervistën e dhënë nga drejtori i kësaj qendre Alban Ramohitaj.

Dita Ndërkombëtare e Muzeve u përcaktua nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) në vitin 1977 dhe u përqafua menjëherë nga të gjitha muzetë në mbarë botën. Kjo ditë përbën një moment të një rëndësie të veçantë për komunitetin ndërkombëtar të muzeve.

Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes mes popujve. Çdo vit, ICOM përcakton temën për “Ditën Ndërkombëtare të Muzeve”. Tema e këtij viti, “Muzetë për edukim dhe kërkim”, synon të theksojë rëndësinë e muzeve si institucione edukative që nxisin të mësuarin dhe mirëkuptimin kulturor.

Ndryshe nga ditët e tjera të vitit, sot muzetë do të jenë të hapur në pritje të vizitorëve deri në orën 22:00 dhe hyrja do të jetë falas.

M.B.