Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 7 korrik 2014 – Ky sezon turistik ka filluar me këmbë jo të mbarë për Durrësin, pasi ky vit ka pasur realisht një klimë të mbrapshtë. Dimri nuk bëri dimër. Pranvera nuk ishte tamam pranverë, ndërsa muaji i parë i verës, qershori me shira e me kohë të keqe, veç verë nuk ishte. Kjo dëmtoi si të thuash para sezonin turistik në Durrës. Për shkak të investimeve turistike kaotike Durrësi përgjithwsisht nuk ka kapacitete e nivel për të thithur turistë elitarë, madje edhe turistë të konsideruar si të nivelit të mesëm.

Kryesisht turizmi në Durrës mbështet tek turizmi patriotik i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Preshevës apo diasporës si edhe te durrsakët, që studiojnë apo banojnë jashtë dhe kthehen për pushime në atdhe. Pikërisht ky lloj turizmi po dëmtohet sivjet edhe nga koincidenca e festës së Ramazanit me sezonin turistik. Shqiptarët jashtë Shqipërisë “londineze” janë besimtarë myslimanë më të devotshëm dhe më praktikantë, pra frekuentimi i plazhit të Durrësit nga këto turistë edhe për këtë arsye ka rënë ndjeshëm. Konsolidimi i firmave turistike në Kosovë e Maqedoni si edhe i sistemit të transportit me charter kryesisht drejt plazheve të Turqisë, me çmime mjaft të arsyeshme, ka devijuar një pjesë të turistëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë nga plazhet e Shqipërisë dhe sidomos plazhi i Durrësit.

Në mënyrë figurative mund të themi se ndonëse jemi në korrik në Durrës ka më shumë mushkonja dhe bretkosa sesa turistë. Fatkeqësisht për shkak të hajdutllëqeve të vogla edhe disa përpjekje me gjysëm zemre të Bashkisë Durrës për të disinfektuar qytetin nga mushkonjat kanë dështuar. Dy vatra kryesore të mushkonjave dhe bretkosave në qytet mbeten dy gropat për ndërtim grataçelash: ajo pranë Bashkisë dhe gropa afër shkollës “Vinçens Prendushi”. Normalisht nuk është faji as i Bashkisë në Durrës as i qeverisë Rilindase në Tiranë për këto dy themele gratacielash të shndërruara në “rezervate” bretkocash dhe mushkonjash. Këto gropa janë rezultat i zvarritjeve të shkaktuara nga gjykatat famëmëdha shqiptare për të zgjidhur problemet e pronarëve realë të trojeve, ku janë hapur e janë lënë batall themelet e dy grataçelave të ardhshme. Pikërisht këto probleme pronësie pengojnë ndërtimin e pallateve mbi këto themele, aktualisht të shndërruara në fole mushkonjash, bretkosash dhe vatra infeksioni.

Tani që qeveria Rama po disinfekton me avionë nga qielli si të thuash gjithë Shqipërinë le të shpresojmë se do t’i vijë rradha dhe këtyre “gjirizeve" të hapura, për t’u disinfektuar njëherë e mirë.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/