Kemi hyrë në stinën e vjeshtës, por flukset turistike nuk mungojnë në Durrës, megjithëse nuk janë në shifrat e larta të regjistruara gjatë muajit gusht.

Në këto ditë të para të shtatorit, turistët vazhdojnë frekuentojnë plazhin, pasi Durrësi është i bekuar me një klimë mesdhetare. Flukset turistike nuk do të mungojnë edhe në tetor, kur turistët nga vendet skandinave do të vijnë të vizitojnë kryeqytetin shqiptar të turizmit.

“Sezoni vazhdon akoma. Parashikohet të përfundojë nga fundi i muajit tetor, atëherë janë edhe rezervimet e fundit. Shtatori parashikohet akoma me turistët e plazhit, si turistët polakë, çekë apo dhe shqiptarët e Kosovës. Parashikohet të jetë 90-100% i rezervuar, kurse tetori nis me turistët nordikë, që preferojnë vjeshtën për të ardhur në Shqipëri, pasi përveç plazhit ata preferojnë edhe pjesën kulturore dhe historike të Durrësit”,- bën të ditur Blerim Norja, administrator i një hoteli shumë të njohur në zonën e plazhit.

I kthyer në një destinacion të preferuar nga turistët evropianë, por edhe më gjerë, Durrësi prej disa vitesh tashmë po synon të zhvillojë turizmin e qëndrueshëm dhe të kthehet në destinacion gjithë vjetor turistik.

Ndërsa më parë, sezoni shtrihej vetëm përgjatë 3 muajve të verës, tani ai nis zakonisht në mars-prill, për t’u zgjatur deri në fund të tetorit.

Turistët e parë të pranverës së ardhshme pritet të jenë austriakët, që ketë vit eksploruan për herë të parë qytetin 3000-vjeçar dhe u larguan me përshtypjet më të mira.

“Turistët austriakë kanë shprehur interes për Shqipërinë, sidomos për Durrësin. Në muajin prill kemi pasur turistët austriakë që kanë mbushur hotelin tonë, rreth 2200 turistë nga Austria që kanë vizituar Durrësin dhe Shqipërinë. Ata kanë rezervuar edhe për vitin e ardhshëm. Pra turistët austriakë do t’i kemi edhe në vitin 2026, por edhe për vitet në vijim”,– thotë Norja për “DurrësLajm”.  

Karakteristikë e këtij sezoni veror që lamë pas ishte mungesa e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që për shumë vite me radhë kanë qenë pushuesit më të rregullt në plazhet e gjirit të Durrësit.

M.B.