Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Igli Cara ishte i ftuar mëngjesin e kësaj të mërkure në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News 24, nga ku deklaroi se qyteti bregdetar mezi po pret ndryshimin më 25 prill.

Cara theksoi se qyteti ku ai kandidon po bëhet gjithnjë e më i pajetueshëm, duke shtuar se paratë e investimeve janë bërë beton. Sipas kandidatit demokrat, PD në qeveri do të ndryshojë qytetin e Durrësit dhe Shqipërinë.

“Dua ta nis me një urim për të gjithë besimtarët e Ramazanit, duke uruar të gjithë myslimanët. Pavarësisht se në fushatë ne duam që të ruhen masat ndaj koronavirusit, qytetarët janë të paduruar në mbështetjen që na japin. Qytetarët e Durrësit kanë ndjerë të gjithë peshën e kësaj qeverie. Kjo qeveri ka dështuar në çdo fushë. Shqiptarët janë më të varfër se para tetë vitesh. Pensionistët ndihen të lënë pas dore. Durrësi mezi po pret ndryshimin më 25 prill. Qyteti po bëhet një qytet i pajetueshëm. Paratë e investimeve janë bërë beton. Ne do të bëjmë ndryshimin, e bëhet fjalë se do bëjmë ndryshime për të gjithë durrsakët. Premtimet tona do të mbahen e pagat do të rriten, paratë do të gjenden tek korrupsioni në qeverinë aktuale”, deklaroi Cara.