Nga Aleksandër Cangoja
Kështu do e perifrazonte paria e Durrësit, qytetin e tyre në një letër publike të dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme Shqiptare me datë 19 Janar 1919.
Mbas mbarimit të luftës së parë botërore si shumica e qyteteve të Shqipërisë dhe Durrësi kishte dalë me dëmtime të mëdha. Ushtritë pushtuese Italiane dhe Austro-Hungareze njëra pas tjetrës disa herë e kishin bombarduar këtë qytet duke i sjellë kështu dëme materiale dhe viktima. Në atë kohë mbas mbarimit të luftës Durrësi vazhdonte të ishte kryeqytet i Shqipërisë, i zgjedhur qysh nga viti 1914 moment ky kur Princ Vidi do merrte zyrtarisht detyrën si Princ i Shqipërisë vendosur nga Fuqitë e Mëdha. Dhe mbas kongresit të Durrësit nga e cila doli dhe qeveria e saj në vitin 1918, destinacioni si kryeqëndër nuk do lëvizte, paçka se kishin filluar tentativa të ndryshme nga njërëz me influencë për ta zhvendosur kryeqytetin në një vend tjeter si Tiranë, Shkodër, Vlorë apo Elbasan. Kjo gjë filloi të diskutohej nëpër Durrës duke u thënë se qeveria do e lëvizte qëndrën drejt Tiranës dhe se një nga shkaqet ishte mungesa e banesave për nënpunësit e qeverisë.
Me këtë rast njërëzit me influencë të qytetit apo paria nëse do e quajmë kështu vendosi të mblidhej dhe ta diskutonte këtë problem i cili për ata ishte shumë shqetësuese. Kjo mbledhje do zhvillohej në ambientet e Katundarisë (Bashkisë) dhe do ishin pjesmarrës figura si Perikli Spiru, Jusuf dhe Aqif Çelkupa, Eqrem Beshiri, Myslim Katroshi, Kasem Durrësi, Perikli Goga, Vanc Goga, Sabri Dermani etj po ashtu dhe të gjithë përfaqësuesit e klerit Katolik, Ortodoks dhe Mysliman të Durrësit. Të gjithë këta përpiluan një deklaratë bashkarisht ku i drejtoheshin Ministrit të Punëve të Brendshme dhe nxirrnin në dukje gjërat pozitive dhe benefitet që i jepte ky qytet qeverisë së Shqipërisë. Kjo letër i dërgohet qeverisë me datë 19.I.1919 ndërsa me datë 22.I.1919 dërgohet një letër tjetër, por këtë rradhë nga një komision i posaçëm i zgjedhur nga paria e qytetit ku shkruheshin arsyet pse qyteti i Durrësit kishte probleme me banesat dhe kush ishin shkaqet që e kishin sjellë deri në këtë pike. Nga njëra anë ishin shkatërrimet e mjaft objekteve që ishin bërë gjatë luftës nga krahu tjetër ishte se shumë banesa ishin në përdorim të ushtrisë italiane e cila ishte prezente në Durrës. Kështu ata ishin të gatshëm për të bërë sakrifica vetëm e vetëm se kryeqytetit mos të largohej nga Durrësi. Ata i kërkuan Ministrit një lloj leje të posaçme për të sjellë një sërë materialesh ndërtimi të cilat do shërbenin për rikonstruksionin e banesave të dëmtuara prej bombardimeve të luftës së parë botërore. Gjithashtu ata i kërkuan edhe një numër prej 50 deri në 60 puntorë të cilët do punonin në këto objekte të dëmtuara. Komisioni vente në dijeni se problemi i banimit për nënpunësit e Qeverisë dhe godinat për Gjykatat tashmë ishin të siguruara dhe nuk kishte asnjë arsye që kryeqyteti të lëvizte drejt Tiranës por të vazhdonte të qëndronte në Durrës.
Gjithsesi, mbas Kongresit të Lushnjes qëndra e qeverisë praktikisht u ndryshua duke u vendosur në Tiranë sepse vendosja e saj në Durrës u pa e pamundur nga Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu ku shkak ishte se ushtria italiane vazhdonte të qëndronte në Durrës dhe kjo nuk i jepte siguri Qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Por juridikisht Durrësi vazhdoi të ishte kryeqytet deri më 31 janar 1925, dhe Tirana si pjesë e prefekturës së Durrësit.
Nga këto dy letra do vërejmë se Durrësi në atë kohë kishte disa burra që e donin shumë qytetin, mbase dashuria e tyre prej disave sot mund të quhet dhe “lokalizëm” por kjo është ajo që i mungon Durrësit prej shumë e shumë vitesh, lokalizmi tyre buronte nga dashuria për qytetin ku jetonin dhe punonin.
Më poshtë janë të transkiptuara dy letrat e dërguara nga Paria e qytetit Qeverisë Shqiptare:
Letra nr 1, datë 19.I.1919
“Të shkëlqyshmes Ministrisë të punave përmrendshme në Durrës.
Kemi nderin me u diktu bashkrisht në zyrë të madhënushme të Zotnis Juj për me paraqit dishirën e përgjithshëm të Popllit Ketushëm.
I ndriçëm Ministër që jeni përshtypsi dhe rujtësi i vërtet i të drejtës Komtare: N’u ka lajmruë se për disa shkaqe vetjake të Nëpunsve asht tuj u menduë me u Zgjedhë Tirana si qendër i përgjitshëm, e jo Durrësi që në ç’do pikepamje asht N’ana i gjithë vendave shqiptare dhe që qyshka qytetnore i ka m’a të plotshme se të tjerat.
Asht e ditun se e deri më sot të gjitha qeverinat e formume prej atyne shkaqeve të natyrshme e diplomatike dhe prej nevojë Komtare të domosdoshme për Kryeqytet ka Zgjedhë e venduë kët Durrësin e bukur.
A nuk asht ky Durrës, si nga ana e qetsiës vendit në te cillen asht e mbyshtetun shpirti I Komsiës si nga rrojtja qytetnore e përgjitshme asht e meritume me pas rrandsiën dhe nderën e nji vendit Avropjan.
Durrësi asht ma e shkëlqyshmja pasqyrë se Tirana për me ba sherbimin që me mprojt e provuë të drejtat Komtare kundrejt Avropës që sot fatin ton e ka në dorë.
E keshtu dobinat e mëdhaja shqiptare priten prej Trupit të shkëlqyshëm të Zotnis juj tyke pasun qendër të përgjithshëm Durrësin i cilli e dhe në pikëpamje të përshtypjes përmrendshme , ka zanë nji vend të nalt e të veçant në të gjitha Zemrat Komtare dhe vendet shqiptare.
E pra për sigurimin e dobinave atdhetare, në zgjedhjet të qandrës përgjithshëm i duhet me u marrë para syshë nevojat vetjake të Nëpunsve, po vetëm lypet mu pas para syshë dobiën e përgjithshëm të atdheut përbashkëm, dhe për shtërnguat shtepiake duhet me duruë e deri sa mund të plotsohen të metat e sotshme.
Prandaj në emën të Popllit Durrësit ju lutemi Trupit të shkëlqyshmes të Zotnis juj tyke menduë dobina e shpresume mos me e ngrejt qandrën e përgjitshëm prej Kryqytetit të vendosur.
Me nderime të posaçme e të përulta.
Plaku i Varoshit, Plaku i Kallas, Imami i Kalas, Imami i varoshit Myderriës i Durrësit
Truja, Perikli Spiru, Neki Libohova, Gjorg Vlashi, Vlash Dovana, Mati Fishta Famulltari Katolik Durrësit, Imami Xhamis Kaja Hanëmi, Vasil Roçço, Eqrem Beshiri, Vanc Goga, Jusuf Çelkupa, Perikli Goga, Vangel Spiru, Dr. A Zaguridhi, Myrteza Goci, Pieter Vlashi, K.Durrësi (Kasem), H. Myshketa (Hysen), I. Kadiu, Sabri Dermani, Myslim Katroshi. (Nënshkrimet e tjera nuk dallohen qartë, ose janë shkruajtur me gërma Arabe). “
Letra nr 2, datë 22.I.1919
“Shkëlqesës së Tij
Delg. Të Punravet të Permbranshme Durrës
Të nenshkruarit, kan nderin me ju tregue Sh.J. , që po sa u ndigjue zani se Qeveria ynë, tuj qit per shkakë mungesen e zyrave dhe banimin e Nëpunsavet dashka të ngrej nga këtu Qendren dhe të vej në Tiranë, me të shpejtë populli i Durrsit u interesua dhe me një Mbledhje të pergjithshme qi u mbajtë në Katundarië (Godina e Bashkisë), formojë një Kommision per me menduar mbi këte çështje; si e qysh të largohet ç’do mendim u shuanë qi ka per qellim të ngrejtmen e Qendrës së Qeverriës, tuj marrë para syshë, jo vetem pse Qyteti Durrës per Istoriën e tij të bukur e per gjendjen geografike, të njoftun pergjithësisht si ma I randësishmë ekonomikisht e politikisht, nji gja e provume dhe e pelqyme si Kryeqytet i Shqipniës prej gjithë Fuqive të mbëdha kurë u proklamu të parën herë mëvetësija e Shqipniës; por edhe shkaku i gjendjes së soçme e shkaktume nga lufta, e ngrejtmja e Qendrës do te baj nji pershtypje, e per ket shkakë u muarrë persiper bara, të cilën e murme me deshirë dhe kemi ardhë në këto perfundime:
a) Populli po sakrifikon sa mundet tuj u shtrenguar per me lëshue banime per Npunes, perveç 124 shtëpija qi janë zanë nga ushtrija, janë shenjue edhe 36 të mjaftushëm per Nëpunës.-
b) Për Nepunës beqar; veç atyne qi u permenden, kemi parapa të pakten për 20-
c) Kemi Hotelet Royal e Aristide Sarvall (Aristill Shallvari), shpijat e Hysen Ef. Kruetanit, Thoma Teokaridi, Ismail Beshiri qi me pak spenxhime mund të ndreqen, prej të Zott. Mallit e të Qeverriës për hesap xxxx(nuk dallohet) shenjumun nga Kommisioni.
Prej atyne shpijave qi janë zanë nga ushtrija kemi lutun Komanden të na liroj -5 shpi të mdha qi janë: Vll. Margariti, Aristide Sarvalli, Giumurteka, Sul Met Rama e Hani Kristaqi Spiru.
Komisioni ka lutun edhe per me na dhanë nji leje të posaçme per me mujt me sjellë material gadi e : gelqere 1000 kg, Tulla 40000, tjegulla 40000, Xhama 200 arka, gozhdë 100 fuçia gjithëfarësh, çimento 250 kg – Perandaj lutemi Sh.J. të mirrni masa e të shkruni nevojen qi kemi per këto material dhe veç këtyne me na dhan edhe afro 50-60 puntor.
Mbasi Komisioni i veçante per banime ka gjetur per të gjithë Nepunesit vend (banim) kështu edhe per Gjykata ma të nalta, qi pas rregullës të pelqyeme pergjithësisht prej gjithë fuqive, e cila duhet pas arësyes të rri në Kryeqytet dhe pa as nji shkak nuk duhe të ngrehet nga Këtu se si kundër per gjyra tjera kështu edhe per Gjykatat e Nalta, kemi të shenjue gadi ventim. –
Me shprese se do të kemi dhe ndihmen e Qeverriës së ndershme, per permbarimin të deshires Kombtare, perfundohemi me nderë të veçante.
Durrës, 22.I/1919
Nënshkrimet:
Neki Libohova, Ilia Llavda, Dr. Zagguridhi, Eqrem Beshiri, Vanghel Spiru, (nënshkrim me germa Arabe), Perikli Spiru. “