16 korrik 2015 – Të shtunën më 18 korrik, Durrësi do të mirëpresë Kampionatin Kombëtar të Peshëngritjes për të rinj dhe para të rinj, aktivitet ky që do të zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”. 

Në aktivitet do të marrin pjesë mbi 50 peshëngritës të rinj në dy grupmoshat, të cilët do të përfaqësojne  rreth 10 ekipe nga më të mirat në vend.

Teuta do të përfaqësohet në këtë kampionat me 8 peshëngritës, nga të cilët 5 në grupmoshën e të rinjve dhe 3 në atë të para të rinjve. Trajneri i Teutës, Besnik Psatha, shprehet se ndonëse u mungon peshëngritësi kryesor Sopot Sula i dëmtuar, ata do të përpiqen të japim më të mirën e tyre dhe të rikonfirmojmë edhe një herë Tetuën si ekipin më të mirë në vend.

"Shpresojmë të arrijmë rezultate pozitive me peshëngritës të tillë si Ermir Ganaj në peshën 56 kg, Ardit Domi në peshën 62 kg dhe Adrian Banaj në peshën 94 kg", thotë Psatha.

Pas një pauze disavjeçare, prej dy vitesh Teuta rikthehet në majën e peshëngritjes shqiptare për të rinj e të rritur duke fituar të gjitha aktivitetet e zhvilluara, qofshin këto kampionate apo kupa të Shqipërisë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/