Kaos me plehrat në qytetin e Durrësit! Në kushtet kur ende nuk është gjetur një zgjidhje se ku do të depozitohen plehrat, gjendja në kazanët e qytetit sa vjen e rëndohet.

Prej disa ditësh, situata e pastrimit të plehrave është kritike, pasi në të gjitha lagjet mbeturinat nuk po tërhiqen në pjesën më të madhe të tyre. Era e rëndë është përhapur, ndërsa rrezikohet edhe shpërthimi i  ndonjë infeksioni të mundshëm, në kohën kur supozohet që higjiena duhet mbajtur në kushtet maksimale për shkak të pandemisë së Covid-19.

Shkak është bërë mbyllja e fushës së plehrave në Porto-Romano ku ka nisur puna për ndërtimin e Eko Parkut dhe mos përcaktimi i një vendi të ri për grumbullimin e tyre.

Fillimisht bashkia e Durrësit përcaktoi Sukthin si pikë grumbullimi, por kjo u prit me protesta dhe reagime të ashpra nga banorët. Ndërkohë disa kamionë janë shkarkuar në Manzë, por edhe në këtë zonë banorët kanë kundërshtuar hapur depozitimin e mbetjeve urbane në landfillin e tyre, pasi sipas tyre u kërcënohet jeta dhe shëndeti. Mbrëmjen e së dielës situata u tensionua në këtë njësi administrative, ku me dhjetëra qytetarë bllokuan rrugën për të penguar derdhjen e të tjera plehrave të Durrësit në landfillin e qytezës së vogël.

Nga ana tjetër, bashkia e Durrësit thotë se është ende në bisedime me qeverinë për të mundësuar një fond të veçantë për dërgimin e plehrave në landfillin e Sharrës. Dërgimi atje është i pamundur me fondet që ka aktualisht në dispozicion bashkia e Durrësit, dhe për këtë arsye kërkohet ndërhyrja e qeverisë.

Dhe teksa ditët kalojnë e plehrat shtohen, shërbimet e Komunales mundohen t’i derdhin ato pak plehra që mbledhin ku të munden. Ndërkohë plehrat po dekompozohen nëpër lagje dhe po kundërmon era e rëndë në Durrësin turistik!