DURRËS, 22 nëntor 2013 – Edhe në qytetin bregdetar është zhviolluar më 22 nëntor 2013 nisma kombëtare “Të pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Në krye të punëve janë vënë kryebashkiaku Vangjush Dako i shoqëruar nga prefekti Roland Xhelilaj dhe kryetari i qarkut Alfred Mullaraj së bashku me shumë nxënës shkollash e qytetarë të Durrësit, të cilët kanë marrë pjesë në këtë nismë për të pastruar qytetin dhe të gjithë vendin. Në Durrës aksioni është mbështetur nga bashkia, prefektura, qarku, shkollat si dhe ushtria. Në shumë pika problematike të ndotura nga mbetjet urbane kanë marrë pjesë shumë persona për pastrimin e tyre. Strukturat dhe ndërmarrjet e bashkisë së Durrësit ishin të shpërndara në të gjithë qytetin duke koordinuar punën nëpërmjet korodinatorëve të shoqërisë civile, shkollave, universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe qytetarëve të thjeshtë aktivistë dhe vullnetarë të përfshirë në realizimin e këtij aksioni. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako deklaroi se janë evidentuar njollat e zeza të këtij fenomeni në Durrës dhe angazhimi është maksimal për pastrimin e mbeturinave dhe për mbajtjen pastër të qytetit: “Është nismë e qeverisë shqiptare dhe ne i jemi përgjigjur pozitivisht. Kemi evidentuar të gjitha njollat e zeza dhe këtu jemi duke punuar bashkë me prefektin dhe kryetarin e qarkut, ndërsa nismës i janë përgjigjur edhe shkollat, ushtria, universiteti dhe shoqëria civile. Është domosdoshmëri që të bëhet një aksion i tillë, sepse mjedisi është një komponent i rëndësishëm dhe ne do të punojmë për të pasur një mjedis dhe një qytet sa më të pastër. Iniciativa të tilla janë të domosdoshme dhe besoj se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Me qëllim ruajtjen e mjedisit urban nga ndotja dhe dëmtimi u bëjmë thirje bashkëqytetarëve të bashkohen me ne, jo vetëm në një ditë, por të kujdesen për mjediset e tyre dhe ato të perbashkëta çdo ditë të vitit, për të jetuar sot dhe për të trashëguar nesër një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm”. Prefekti Roland Xhelilaj shtoi se në të gjitha qarkun janë marrë masa për pastrimin e mbetjeve urbane që shkaktojnë ndotje të mjedisit. Nxënësit e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” kanë pastruar mjediset e amfiteatrit, ndërsa shprehen se iniciativat për pastrim do t’i vazhdojnë edhe më pas duke u organizuar me njëri-tjetrin. Në Durrës nuk ka akoma një landfill për trajtimin e mbetjeve urbane dhe në këtë mënyrë prej shumë vitesh mbeturinat hidhen në një fushë të hapur në Porto Romano duke qenë problem kryesor për ndotjen e mjedisit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





