Përmes një statusi në rrjete sociale ish-kandidati për deputet dhe sekretari për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike të Durrësit, Petro Vokopola, ka denoncuar atë që ai e konsideron atmosferë frikë dhe tensioni në qytet.

Sipas Vokopolës, aksioni i ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike, por i tejkaluar nga zelli i atyre që e zbatojnë ka shkaktuar zbrazjen e qendrës së qytetit.

“Sot Durrësi më kujtoi vitin e eksodit ’92.Qendra e qytetit totalisht e zbrasur. Tregtarë te trrëmbur, qyetarë që flasin me zë të ulët dhe të pasigurt. Një atmosferë frike dhe tensioni që nuk i shkon për shtat një qyteti europian në vitin 2025. Dikush jep nje urdhër dhe dikush e tejkalon atë. Dhe më e rënda është mungesa e transparencës! Askush nuk flet qartë dhe askush nuk merr përgjegjësi. Të gjithë heshtin, ndërkohë që qyteti mpaket”,- shkruan ai.

Ndërsa e vë theksin tek trajtimi i qytetarëve dhe subjekteve private me dinjitet dhe drejtësi, Vokopola kërkon nga autoritetet vendore që ta dëshmojnë drejtësinë përmes vendimeve të vëna në zbatim me transparencë, për të mos e bërë popullsinë të ndihet e braktisur pikërisht nga ai që duhet ta mbrojë; shteti dhe strukturat shtetërore.

“Tregtarët, taksapaguesit, njerëzit që mbajnë gjallë ekonominë e qytetit, ndihen të braktisur. Pa informacion, pa mbështetje, pa siguri! Në vend të respektit dhe garantimit të rendit, përballen me frikë dhe presion. Kjo nuk është mënyra si ndërtohet besimi në institucione, kjo është mënyra si ai shkatërrohet! Durrësi meriton më shumë. Qytetarët meritojnë dinjitet dhe qartësi. Nuk ka shtet pa njerëz. Nuk ka rend pa drejtësi”- shkruan Vokopola.