Në panairin më të madh në botë të turizmit, në Berlin të Gjermanisë, Durrësi u prezantua me të gjithë potencialin e trashëgimisë kulturore dhe bukuritë natyrore të bregdetit të tij dhe jo vetëm duke u renditur si destinacioni kryesor turistik në Shqipëri dhe Ballkan për këtë sezon veror.

“Ishte kënaqësi e madhe të shikoje sesi mediat e huaja prestigjioze e njihnin tashmë Durrësin dhe shkalla e interesit nga operatorët turistikë në Berlin ishte shumë e lartë. Kishim fatin që në stendën e bashkisë Durrës u bashkuan edhe disa operatorë kryesorë turistikë, përfshirë këtu edhe një lloj turizmi të ri që në e quajmë turizmi i aventurës “Quad Squad”, të cilët së bashku me struktura të tjera akomoduese hoteliere prezantuan të gjitha shërbimet dhe produktet e tyre në hapësirën e dedikuar për Durrësin”,- thotë Floreta Kërtusha, përfaqësuese e Drejtorisë së Turizmit në bashkinë Durrës.

Promovimi i Durrësit si kryeqyteti shqiptar i turizmit dhe jehona e marrë nga mediat ndërkombëtare u konkretizua me firmosjen e shumë kontratave mes tur operatorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Sezoni turistik pritet të sjellë në qytetin bregdetar flukse të reja turistësh, që do ta vizitojnë për herë të parë Durrësin.

“Strukturat kryesore hoteliere që ishin prezent në panair arrinin të nënshkruanin marrëveshje apo të vazhdonin më tej bashkëpunimin me operatorët turistikë jo vetëm në Gjermani, por pothuajse në të gjithë Evropën dhe ky është një lajm shumë i mirë, që na dëshmon se këtë vit përveç turistëve që ne kemi raportuar që kanë ardhur më parë në Durrës, një fluks edhe më i madh turistësh pritet këtë vit”,- deklaron Kërtusha.

Në 2 vitet e fundit, çdo sezon ka regjistruar një rritje rreth 20-25% të numrit të turistëve. Në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë sezon pritet të hartohen guida të reja turistike, një, dy apo tre ditore, për t’i ofruar vizitorëve një gamë sa më të gjerë të të gjithë potencialit historik, natyror, kulinarisë, turizmit të aventurës etj, që qyteti 3000-vjeçar ofron.

“Jemi në bashkëpunim me universitetin “Aleksandër Moisiu”, i cili ka një degë të veçantë për “Guida turistike”, për të bërë këto paketa. Gjithashtu ne vijmë me aplikacionin dhe webpage-n e dedikuar turizmit www.visitdurres.al, ku gjendet çdo lloj informacioni lidhur me potencialet turistike, atraksionet, destinacionet apo dhe aktivitetet kulturore e festivalet kryesore, që do të zhvillohen gjatë gjithë sezonit turistik veror dhe gjatë gjithë vitit”.  

Sipas burimeve zyrtare, vitin e kaluar Durrësin e vizituan 1.5 milionë turistë, ndërkohë që këtë vit numri pritet të jetë më i lartë.

M.B.