Me thirrjet dhe pankartat “Poshtë terrori shtetëror”, “Rama ik”, një grup protestuesish në Durrës kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama.

Ata kanë bllokuar autostradën Durrës-Tiranë në të dyja senset e saj. Janë burra e gra demokratë të Durrësit, të cilët prej më shumë se 20 minutash, që prej orës 16:00, kanë bllokuar autostradën.

Ndërkohë vargu i automjeteve është bërë kilometrik dhe trafiku është rënduar nga mjetet, në një orar që përkon dhe me pikun e trafikut për shkak të daljes nga puna të shumë personave që zgjedhin këtë aks të rëndësishëm rrugor.

Kjo protestë është monitoruar nga krerët e PD-së së Durrësit, ndërkohë që në vendgrumbullim ndodhen edhe forca të shumta policie nga komisariati i Policisë së Durrësit. Gazetarja e “DurrësLajm”, e pranishme në vendin e ngjarjes, raporton se nuk janë shënuar incidente mes policisë dhe protestuesve.

Përveç kërkesave ekonomike, protesta ishte me karakter politik, pasi të gjithë në unison, pjesa dërrmuese e të cilëve demokratë, kërkonin largimin e kryeministrit Rama.