Bregdeti i Durrësit është masakruar barbarisht dhe imazhi që ky qytet ofron në verë është jashtëzakonisht i keq. Në qoftë se kosovarët dynden aty, durrsakët e braktisin atë dhe i drejtohen jugut, sepse është më pak i mbipopulluar e për pasojë më i pastër dhe i qetë. Që në hyrje të Kavajës mund t’a shohësh katrahurën. Hotele pa fund, ngjit e ngjit pa pikë lidhje me njëri-tjetrin, pa pikën e estetikës, që janë ndërtuar sipas motos ''toka ime, tokë e xanum''. Është fakt që çdo cm2 nga Plepat e deri tek Ura e Dajlanit, e kanë marrë me qira shtetasit nga Kosova dhe shqiptarët e Maqedonisë. Nga sektori “Teuta” i plazhit të Durrësit e deri në “Iliria” mbizotërojnë gatime tipike të kuzhinës kosovare e maqedonase. Kjo pasi në këtë pjesë të bregdetit përqendrohet i ashtuquajturi “turizëm masiv”, ku disa qindra mijëra persona vijnë të pushojnë në pak kilometra katrorë.Nga Ura e Dajlanit në Durrës e deri tek Plepat dhe nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem shikohen emërtimet e lokaleve si “Drenica”, “Kosova”, “Tetova”, “Gostivari”, “Prizreni”, “Kaçaniku”, “Peja”, “Hasi” “Prishtina” etj. Kjo ka krijuar atmosferën e një mjedisi tipik kosovar apo sofre shqiptare maqedonase. Janë të shumtë frekuentuesit e lokaleve ku gatuhet dhe afrohet suxhuk Kosove, piskavic, pulë me arra, manti, sallat me lakër të kuqe, spec i pjekur, byrek me spinaq, pite me gjalpë, spec i mbushur e i pjekur, fli Kosove.

Peisazhi nga të dyja anët e rrugës të tremb. Pankarta të mëdha të shkruara keq: Pizzeri, Pjekurin, Pula pa eshtra etj. Tani që është bërë rruga Durrës-Kukës kosovarët vijnë më shumë me makinat e tyre dhe marrin me vete gjithçka mundin. Kam parë që nga trastat e bukës, domatet, djathin, speca, kastravecë, lëngje të ndryshme e deri te uji. Në të gjitha baret dëgjohet në kupë të qiellit muzikë nga veriu i përtejmë. Muzikë kjo, e cila varion nga një bar në tjetrin me të njëjtën forcë dhe volum të tmerrshëm. Nëse ndodhesh tek pista mund të dëgjosh edhe fjalët e këngëtareve të ftuara. Me dialekt kosovar ato ftojnë bashkë-patriotët e tyre të shkojnë të kërcejnë me ta. Që në orët e para të ditës plazhi popullohet me mbi një milion njerëz, të cilët qëndrojnë shtrirë me nga dy persona në një shezlong. Në det shikon gra që lahen me benevrekë e pleq që bëjnë banjo dielli me qeleshe. Të pish një kafe në mëngjes është e pamundur nga muzika e lartë, e cila me sa duket i pëlqen shumë vëllezërve tanë kosovarë.

Nëpër restorante nuk di ç'të hash, sepse menuja është e shkruar në shumicën e rasteve gjysëm shqip dhe gjysëm serbisht. Më falni por dhe grosha e shoqëruar me muzikë të lartë sikur nuk shtyhet fare në pikun e vapës. Për t'ju larguar kësaj zallamahije duhet të shkosh tek Shkëmbi i Kavajës. Pas sektorit “Iliria” shtrihet blloku i ndërtesave rezidenciale qeveritare, e cila prej së paku pesë dekadash përdoret nga udhëheqja e vendit. Përtej Plepave, fillon i ashtuquajturi “turizëm elitar”.Durrësi në verë duket si Kabul, kjo është përshtypja që kam sa herë kaloj në këtë zonë. Megjithatë për këtë nuk e kanë fajin kosovarët. Fajtorë janë ata që ngrohin karriget nën barkun që sa vjen e u dhjamoset dhe që firmosin masakra të tilla urbane, sepse për vete shijojnë plazhet perëndimore. Ne shqiptarët jemi rraca e vetme në botë, që asnjëherë nuk ia hedhim fajin vetes tone, gjithmonë ne na e kanë pasur fajin të tjerët: Romakët, që na pushtuan; Turqit, që na sunduan për 500 vjet; Grekët, që deshën të na merrnin jugun dhe serbët veriun; Enveri, që na terrorizoi për 50 vjet; Europa/PD/PS, që nuk na rregulloi akoma që nga '91; Kosovarët, që na prishën plazhin e Durrësit.

Kur do të vijë ajo ditë, që ne të shohim veten në pasqyrë dhe të themi: Faji është i yni dhe jo i të tjerëve. Plazhi do respekt! Respekt për mijëra e mijëra shekuj pune të palodhur që ka bërë natyra me përbërësit e saj për të krijuar atë që ne e quajmë plazh. Durrësi është shembulli tipik i babëzisë, i mungesës së implementimit të ligjit dhe asaj që quhet "tragedy of the commons". Pse plazhi i Durrësit është kthyer në funksion të shtetasve kosovarë dhe shqiptarëve të Maqedonisë? A mund të pretendojmë ende për turizëm elitar, apo do të vazhdojmë të kënaqemi me turizmin masiv?


 

Luli Ervin:Më mirë quaje masiv. Kjo ndodh gjithandej, jo vetëm tek ne.

Vasil Llapa:Në gjendjen aktuale, nuk mund të presim turizëm elitar. Është e trishtushme, por realitet.

Adelina Myrto:Po ku e gjetëm elitarin ne, jemi të gjithë popull shqiptar. Deri dje ishim klasë punëtore, elitarët ishin ata të bllokut. Sot jemi gjysma jashtë shtetit, domethënë emigrantë e extrakomunitarë. E vërtetë që plazhi është i papastër, por dhe këtu arsyet janë të shumta e nuk mund të thuhet pse vijnë këta apo ata. Vijnë ata, të cilëve u pëlqen ky plazh dhe këtë mundësi kanë. Si të thuash këtu vepron ligji i tregut.

Albana Bala:Thuaj shyqyr që po vijnë kosovarët. Pse kanë ndonjë të keqe ata? Jemi një komb, flasim një gjuhë. Kur ne s’duam njëri-tjetrin si mund të presim të na duan të tjerët? Ne përshembull që jemi emigrantë mendojmë që të krijojmë respekt këtu ku jetojmë. Mendoj se populli shqiptar duhet të ketë respekt për kosovarët. Me respekt Albana, lindur në Durrës, por me origjinë nga Kosova.

Kujtim Fusha:Për momentin, turizmi masiv rezulton i sukseshëm, për sa kohë kushtet për një turizëm elitar të jenë në varësi të pushtetit lokal dhe atij qendror. Duhen politika më të mira, nga pushteti lokal, pasi ai me projektet e tij dhe me financimet nga shteti mund të bëjnë që turizmi të mos jetë masiv, por elitar. Për sa kohë turizmi të rezultojë si diçka e parëndësishme për drejtuesit e kësaj ministrie, ai do të mbijetojë në kushtet e ekonomisë së tregut, që lenë shumë për të dëshiruar në këto momente krize, që po kalon jo vetëm Shqipëria, por gjithë bota. Është për të ardhur keq, se gjithë atë klimë të bukur, që nëna natyrë ia ka dhuruar atij vendi, të katandiset thjeshtë për mosmenaxhim. Më e keqja rezulton tek ata që drejtojnë politikat në rang ministrie, të cilët të ardhmen e turizmit në Shqipëri e gjykojnë "Gri".

Është e rëndësishme të kuptosh, se me investime të mira në bazë projektesh, të cilat çojnë përpara zhvillimin e turizmit në vendin tonë, ndryshon kulturën e mentalitetin njerëzor. Turizmi është një element i rëndësishëm, i cili sjell fitime marramendëse e këto fitime t’i investosh përsëri në turizëm, shton vlerën e kapitalit në të ardhmen, sepse bota ecën përpara duke parë në horizont të ardhmen e këtij biznesi fitimprurës. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se turizmi masiv është i përkohshëm, deri në momentin kur rregullat e lojës të jenë të funksionueshme. Turizmi masiv nuk ka të ardhme. Turizmi elitar, rezulton më i suksesshëm për kushtet normale që krijon, por derisa rregullat e lojës të mos jenë të funksionueshme (flas për ligjin), për vënien dorë, në mënyrë urgjente të politikave e dikastereve drejtuese të turizmit, turizmi masiv dhe pa të ardhme do rezultojë i suksesshëm.

Them se turizmi masiv nuk ka të ardhme, për dy faktorë shumë të rëndësishëm: e para rezulton në faktin, se ata biznesmenë të mëdhenj që kanë investuar goxha kapital në turizëm (hotele, restorante), dalin jashtë loje përballë klientëve të dobët që thith turizmi masiv. E dyta, që është më rëndësishme rezulton në faktin se dëshira e madhe e këtyre biznesmenëve, të cilët të ardhmen e kapitalit të tyre e shohin me besim tek turizmi elitar, humbet në hendekun e madh që ka krijuar mosvënia dorë e shtetit dhe qëndrimi indiferent i pushtetit lokal e atij qendror përballë këtij fenomeni që quhet turizëm masiv, i cili rezulton pa të ardhme, e funksionon në bazë të ligjit të “xhunglës”.

Eli Enes:Turizëm elitar në “Kallamoq Beach” dhe Turizëm me bukë me vete.

Aneo Zhurka:Një qen endacak tek po ecte në mes të vapës, në rërën e nxehtë të plazhit, pa një Bar restorant dhe u drejtua për të kërkuar ujë. Futet brenda i thotë banakjerit: të lutem mund të më japësh pak ujë? Banakjeri i habitur tek sheh qenin përpara tij i thotë: nuk e sheh tabelën që ndalohet hyrja e qenve? Jo!-i tha qeni. Pashë tabelën që këtu tek ju shërbehet "Hot Dog", prandaj u futa për të kërkuar ujë.

Indrit Nina:Unë thjesht shtroj pyetjen: është faj, apo është meritë? Nëse është faj, i kujt është dhe nëse është meritë, përsëri e kujt është?

Aneo Zhurka: Faji është jetim. Merita është nënë për të gjithë.

Vasil Llapa:Aneo, “Merita” nuk është nënë për të gjithë. Populli thotë: kush mori …, e kush mori groshën. Këtu bëhet fjalë për vlera e këto i marrin shpesh ata që s'kanë asnjë vlerë.

Aneo Zhurka:Atë thashë dhe unë Vasil në një formë tjetër, meqenëse fajin nuk e pranon askush dhe vlerat i merr gjithkush. Të gjitha kokrrat e groshës në të njëjtin ujë ziejnë, por asnjëra prej tyre nuk e di sa zjen tjetra edhe pse kazani ku ziejnë është i njëjti.

Aida Pema Himçi: Turizëm elitar? Këtu shkon populli, i cili ka mundësinë ekonomike dhe faktorin kohë të kufizuar. Elita shkon me pushime tjetër vend. Nuk e di nëse në Ulqin, Strugë, zona e Ohrit etj kanë ndonjë lokal apo kompleks me emrin Durrësi, Tirana, Shkozeti, Sukthi etj. Ndoshta mësymja masive e popullsisë nga Kosova, bëri që çdo aktivitet i ri i hapur të bëjë dallimin prej nga vjen i zoti i punës. Ne shqiptarët mërguam në të katër anët e botës dhe jo të gjithëve do t’i vinte për mbarë të quante aktivitetin me emër shqiptar. Ndërkohë që të emigruarit nga trevat shqiptare në Ballkan vetëm identifikohen dhe në të njëjtën kohë mbledhin klientelën me origjinë nga zona, së cilës i përkasin (meqë dhe turistët ne i kemi nga trevat shqiptare). Sa për informacion: dhoma 10-15 euro, kapaciteti 5-15 persona për 15 ditë, ushqimi i marrë me vete nga vendi i origjinës (thase specash, patatesh, vaji, gjiza etj). Kjo është panorama e një turizmi masiv, nga i cili ne presim zhvillim të ekonomisë.

Arivet Ari: Pra, ja çfarë do të thotë kjo: që nuk jemi të zotë, në vendin tonë vijnë të tjerë dhe bëjnë ç'të duan. Nuk duhet të na vijë keq.

Vasil Llapa: Për mua kjo do të thotë: gjendja jonë është më e vështirë se e kosovarëve të porsa dalë nga lufta.

Arivet Ari:Po, sepse ne nuk na len korrupsioni të ngremë kokë.

Vasil Llapa:Ai është përbindëshi ekonomik, i cili gërryen Shqipërinë dhe vetë shqiptarët.

Aida Pema Himçi:Për mendimin tim korrupsionin nuk e shoh në këtë zonë, sepse korrupsioni ka kapur rërën dhe zonat publike. Këtu është keq-menaxhimi i qera-dhënësve. Duhet një kufi i para-caktuar i kubaturës së ambjentit dhe pushuesve që mund të pranohen. Kështu në vend të një dhome me 15 vetë, do të ketë 3-4 dhoma me nga 4-5 vetë. Kjo është zgjidhja cilësore në përshtatje me normat elementare të jetesës, higjenës dhe cilësisë së shërbimit edhe pse kërkesat mund të vazhdojnë të jenë për pushime fisnore. Me shumë respekt për të gjithë pushuesit shqipfolës.

Kasti Bejko:Mbaj mend para disa vitesh, shkova në Himarë për ca ditë plazh. Hera e parë e imja. U ndjeva si i huaj në atë vend. Ngado flitej Greqisht. Të pakten kosovarët e shqiptarët e Maqedonisë flasin Shqip.

Vilma Çorapi:Përderisa durrsakët nuk janë në gjendje që ta bëjnë turizmin ashtu siç e kërkoni ju më sipër, atëherë kosovarët bëjnë shumë mirë që shfrytëzojnë lokale e plazhe sipas qejfit të tyre.

Albana Bala: Të lumtë Vilma! Edhe këtu në Itali ka shqiptarë me restorante e hotele, por italianët nuk thonë: erdhën shqiptarët dhe po shfrytëzojnë Italinë. Kush është i zoti ecën përpara. Problemi i shqiptarëve të Shqipërisë është se historikisht kanë patur xhelozi për kosovarët. Unë mendoj se kosovarët kanë qenë të zotët dhe do të avancojnë më përpara se ne. I lumtë!

Arivet Ari:Kjo tregon që kemi Bashki shumë të fortë në Durrës, e cila nuk mendon as për të mirën e Durrësit.