Nisur nga rastet e përsëritura të dhunës ndaj grave në qytetin bregdetar, disa prej të cilave fatkeqësisht të vrara nga bashkëshortët, Shoqata e Grave me Probleme Sociale Durrës, fton të gjitha grate dhe femrat të bashkohen nesër në ditën simbol të tyre për të marshuar.
Përmes një eventi të krijuar në Facebook (kliko këtu për tu bashkuar edhe ti), bëhet me dije se marshimi do të nisë në orën 10:00 pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Qarku Durrës dhe do të vijojë përgjatë gjithë rrugës drejt sheshit përpara Bashkisë Durrës.
“Këto vrasje na vënë të gjithëve përballë përgjegjësive për të punuar më shumë jo vetëm si shoqëri civile por dhe si qytetarë për të denoncuar çdo rast dhune ndaj gruas shqiptare e për të mundësuar minimizimin deri në zhdukje të rasteve të tilla.”, thuhet më tej në njoftim duke iu referuar vrasjes së Manjola Cukut dhe Hajdije Tasunit, ngjarje tragjike të ndodhura në fillim dhe pak ditë para se të mbyllej muaji shkurt.
NJOFTIMI I PLOTË
Këtë fillim viti qyteti i Durrësit u trondit sërisht nga dy vrasje makabre ku mbetën të vdekura dy gra, dy nëna , dy motra , dy bija, dy mikesha.
Pas ngjarjeve të vazhdueshme ku grave iu merret jeta nga partnerët e tyre , të gjitha gratë dhe vajzat e shoqërisë tonë ndjejnë frikë dhe pasiguri nga mbrojtja që ofrojnë institucionet dhe moszbatimi i legjislacionit.
Këto vrasje na vënë të gjithëve përballë përgjegjësive për të punuar më shumë jo vetëm si shoqëri civile por dhe si qytetarë për të denoncuar çdo rast dhune ndaj gruas shqiptare e për të mundësuar minimizimin deri në zhdukje të rasteve të tilla.
Eja dhe ti të marshojmë së bashku për të drejtat e grave dhe vajzave!
Marshimi do të nisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Qarku Durrës dhe do të vijojë përgjatë gjithë rrugës drejt sheshit përpara Bashkisë.





