Ndërsa PD është e ndarë mes Kuvendit Kombëtar të datës 18 dhjetor dhe referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës, PS vazhdon me motorët ndezur për riorganizimin e saj.

“Durrësi nuk di të ndalet”,– shkruhet në postimin në rrjete sociale të bërë nga PS Durrës, ndërsa postohen një sërë takimesh të organizuar në selinë qendrore, shtabe të qytetit, por edhe në njësitë administrative.

Megjithëse PS drejton pushtetin lokal prej më shumë se 20 vitesh në qytetin bregdetar dhe ka mundur opozitën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2021 në qarkun e Durrësit, drejtuesit kryesorë të degës, deputetët dhe kryebashkiakja Emiriana Sako kanë zhvilluar takime të shumta me bazën dhe ndërkohë po realizojnë zgjedhjet në çdo organizatë socialiste.

Fill pas fitores në zgjedhjet e 25 prillit, kur PS mori 8 deputetë dhe PD vetëm 6 në qarkun e Durrësit, drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela deklaroi se do të nisë analiza e punës brenda partisë për të evidentuar dhe korrigjuar të gjitha difektet dhe rezultatet e dobëta që u evidentuan në të qark.

Durrësi është mes 6 bashkive në shkallë vendi që nuk drejtohen nga kryebashkiakë të zgjedhur, por të emëruar, por ende nuk ka një datë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale, pasi Presidenti i Republikës Ilir Meta e cilësoi zhgënjyes vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 dhe ende nuk ka dekretuar një tjetër datë për zhvillimin e tyre në bashkitë e mbetura pa kryetar.