“Ujësjellës Kanalizime Durrës është duke punuar me intensitet të lartë për të rikthyer në normalitet furnizimin me ujë të qytetit të Durrësit. Që nga mëngjesi i ditës së sotme lagjet e qytetit nuk janë furnizuar me ujë për shkak të difekteve të shumta në tubacionin kryesor”,- thuhet në një njoftim të ndërmarrjes së Ujësjellësit.

“Amortizimi i tubacionit kresor ka detyruar UKD-në që të stakojë pompat në Fushë-Kuqe me qëllim riparimin e tyre. Nga mëngjesi deri rreth orës18.00 janë riparuar 10 difekte në pjesë të çara të tubit në zonën e Sukthit dhe Shkafanes, ndërkohë që janë edhe 8 të tjera për t’u riparuar në zonën pranë rezervuarit të Tarinit. Në këtë zonë paraqitet vështirësia më e madhe, pasi aty tubacioni gjendet mes një pylli dhe UKD është detyruar që të hapë një rrugë pasi nuk ka një të tillë për të shkuar fadromat në vendin ku është shfaqur difekti”,- vijon më tej njoftimi.

Nga ana tjetër, punimet po kryhen në një zonë kënetore që sjell përsëri vështirësi në përfundimin e difekteve në një kohë sa më të shpejtë.

“Brigada e avarive me 22 persona në total po punon maksimalisht që gjatë mbrëmjes së sotme të riparohen edhe difektet e mbetura dhe të lëshohet uji. Në zonën ku tubacioni kryesor me diametër 700 mm ka pësuar çarje kanë punuar 3 grupe saldimi, ndërkohë që për riparimin e difekteve UKD ka vënë në dispozicion 3 fadroma, 2 kamionë dhe 2 karro-ofiçina”,– përfundon njoftimi i UKD-së.