Në vijim të bashkëbisedimeve me banorë të Durrësit, kreu i LSI Durrës, Lefter Koka, është ndalur në lagjen nr.17 të qytetit, i shoqëruar dhe nga disa prej kandidatëve të LSI-së në qarkun Durrës si Flamur Gjuzi, Nora Malaj, Skerdi Bello, Arbi Shtylla, Xhojana Gjineci dhe Ferdoza Izvira.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka thënë para banorëve të lagjes nr.17 se “nuk mundet dot që sot Durrësi të ketë vetëm një qendër më elitare, Vollgën, duke lënë mënjanë investimet në zonat e tjera. Durrësi është më i gjerë se aq dhe këta fëmijë meritojnë shumë më shumë, meritojnë për të patur një jetë sociale, për të patur më shumë kënde lojërash, gjelbërim dhe ju po e shihni që Durrësit po i eleminohen gati-gati dhe ato pak pemë po i priten”.
Ai tha se politika ka arritur në një moment që duhet të jetë më e vërtetë me qytetarët e saj, ndërsa theksoi dhë rëndësinë e politikave ekonomike lehtësuese për xhepin e e qytetarëve shqiptarë
“Kemi arritur në një moment që nuk mund t’i thuash të uriturit je i ngopur. Duhet ta shohim të vërtetën në sy. Ne jemi pjesë e qeverisjes dhe kemi patur shpesh dhe debate, qofshin këto dhe publike apo brenda kabinetit qeveritar. Unë nuk i kam konsideruar kurrë të dëmshme, i kam quajtur të shëndetshme. Nëse ne do ta kritikojmë njëri-tjetrin nuk ka pse të konsiderohemi kundërshtarë politikë. Nëse ne i fshehim të vërtetat njëri-tjetrit, tregon që ne kemi bërë aleancë të përbashkët përkundër qytetarëve shqiptarë. Durrësi është sot një nga qytetet me gjendje ekonomike më të mirat në Shqipëri. Është e patolerueshme ta mendosh sot, produktet bujqësore në Shqipëri kanë koston më të lartë në rajon dhe për pasojë çdo gjë, ose pjesën më të madhe të produkteve e importojmë. Kjo vjen thjesht dhe vetëm nga një motiv, nëse Maqedonia parashikon rreth 140 mln euro për subvencion për bujqësinë dhe blegtorinë, shteti shqiptar parashikon vetëm 2.5 mln euro. Nuk mundesh të jesh dot konkurent me vendet e rajonit, kur produktet dalin me këtë kosto. Por sigurisht nuk ke dhe punësim. Këto janë politika ekonomike që duhet të bëjë një qeveri dhe një parlament”, tha ndër të tjera Lefter Koka para banorëve.
Ndërkohë, zëvendës Ministrja e Arsimit dhe kandidatja e dytë në listë për deputete në qarkun e Durrësit, Nora Malaj, gjatë fjalës së saj është ndalur në reformën rrënjësore që duhet t'i bëhet arsimit në vendin tonë. Malaj tha se “një nga sfidat e para që së bashku me ekipin e LSI, do të bëjmë, është që japim shansin dhe të fillojmë një erë të re në sistemin e arsimit, duke futur ushqimin si pjesë e domosdoshme, por jo ushqimin si të detyruar por bio me standard dhe cilësi”.
Malaj u shpreh se, bazuar në të dhënat e OBSH dhe INSTAT-it, në vendin tonë numërohen rreth 120 mijë fëmijë në mbarë vendin, të cilët janë në nivelin e standardit të varfërisë të familjeve të tyre, prandaj reformat duhet të konkretizohen, me qëllim mirë edukimin dhe rritjen e një brezi të shëndetshëm.
“Është një nevojë e domosdoshme që të fillojmë disa praktika konkrete, krahas edukimit të mirë le të japim një shëndet të standartizuar për fëmijët tanë”, u shpreh Nora Malaj gjatë fjalës së saj.
Më tej, Malaj hodhi dhe idenë për mësuesit e dalë në pension dhe që janë ende të aftë për mësimdhënie, të vazhdojnë të jenë pjesë e arsimit duke u bërë krahë për shkollat dhe familjet që nuk kanë mundësi të kujdesen për fëmijët e tyre në procesin e të nxënit.
“Jo vetëm kaq, por të ndihmojmë të gjithë arsimtarët që kanë dalë në pension, por që janë të aftë, që dy orë në ditë, të vijnë dhe të japin kontribut në shkollë që të ndihmojë prindërit që kanë nevojë, pasi vetëm kështu ne mund të realizojmë një sfidë të përbashkët, që t'i bëjmë qytetarët tanë dhe fëmijët tanë të aftë për të mësuar”, ka pohuar kandidatja e LSI për Durrësin, Nora Malaj.
Ndërsa kreu i ALUIZNI-t Durrës, Flamur Gjuzi, kandidat për deputet, në fjalën e tij theksoi se filozofia e LSI-së është përkushtimi ndaj qytetarëve.
“Në 8 vite, Aluizni Durrës ka dhënë 2400 leje legazimi. Nga shtatori 2013 e deri më sot ALUIZNI Durrës ka shpërndarë rreth 30.000 mijë leje legalizimi” tha Gjuzi.





