Nga Ardi Omeri
Grekët e lashtë, ose helenët, siç është më e drejtë ti quajmë, Ilirët dhe Keltët i quanin barbarë. Ata kishin përçmim për këto dy “vëllezër” që në fakt ishin edhe me helenët “kushërinj”, e njëjta rracë, por ishin pa kulturë. Merreshin me rritjen e gjedhve, me punim armësh, me luftra dhe nuk kishin kulturë. Kishin mendjen të bënin lekë e luftra. Ndërsa helenët kishin universitet, bënin poezi, këndonin, shkruanin gjuhën e tyre dhe bota, edhe sot e quan kultura greke antike. Historia na mëson se edhe romaket dërgonin fëmijët në universitet në Athinë për të mësuar gjuhën greke dhe kulturën e tyre.
Ata ndërtonin statuja, bënin piktura, bënin panteone dhe bota i vizitonte dhe veneronte.
Thonë, se në Romën antike Çesari, pasi pa një statujë të Ciceronit në mes të sheshit qëndror, thirri Ciceronin në një takim.
-Do më mësosh edhe mua të bëj poezi,- i tha perandori poetit.
-Ç’të duahet poezia ty,- ia kthen Ciceroni. Ti je luftëtar dhe shpata të mjafton. Nuk shkon bashkë arma me poezinë.
-Dua të shkruaj edhe unë,- i thote Augusti. Unë shoh që ti ende gjallë dhe njerëzit venerojnë statujën tënde në mes të Romës.
-Poezia është për fukarenjtë, prandaj edhe e duan poetin. Ju mbani lavdinë e luftës dhe merrni përfitimet e saj. – Ciceroni njihej për mosdakordësitë e tij me perandorin, ndaj edhe ky, e internoi në Durrës, pasi dështoi “së bleri” nëpërmjet Luculos (një Patric i kohës, një tip “Mon Kukaleshi”, ndërmjetës pazarçi.
Në Durrës Ciceroni shkroi shumë kujtime dhe u mahnit nga qyteti i bukur bregdetar me mijëra statuja e mozaike ndaj edhe e quajti “Amirabilis Urbs”.
Më vonë edhe romakët do ta quanin “Taverna e Adriatikut”.
Në dyert e Durrësit, në kodrën e Arapajt, do të ndesheshin Pompeu dhe Cesari për tre ditë me radhë pa e ndarë fituesin, për ta vazhduar këtë dyluftim për jetë a vdekje në Thesali.
Durrësi ishte një prej qyteteve që i dha shumë Ilirisë, me mbretër që sot janë në të gjitha librat e historisë, që nga Dyrrah me historinë e Herkulit dhe emrit e detit Jon, nga Monum që emetoi për herë të parë monedha bronzi, me Glaukun që rriti Piron e madh të Epirit, me Bardhylin që mundi Maqedonasit, me Teutën, Agronin dhe Gentin e deri tek regjenca e shkurtër e Dhimitrit që më pas eziloi në Maqedoni. I ka dhënë Perandorisë romake dhjetëra gjeneralë, e deri edhe Perandorë si Anastasi II, që ishte i vetmi nga Durrësi në mes të 20 Perandorëve me origjinë ilire.
Prijësi Dardan Bato, udhëheqësi i madh i kryengritjeve dardane, pasi u kap rob nga romakët, u vu të bënte dyluftime në Amfiteatrin e Durrësit, madje ka edhe vepra letrare për këto dyluftime të tij ne arenë.
Arkondët e Durrësit, ose siç njihet në histori si Thema e Durrësit e bënë “të madh”, gati aq sa mbretëria e Taulanteve në mos më të madhe. Nga Tivari deri në Vlorë quhej Thema e Durrësit në vitet 700. Kjo madhështi vazhdoi me Despotatet ku ai i Durrësit ishte ndër më të mëdhenjtë me eksponentë udhëheqës të Bizantit.
Në botën universitare Durrësi hyri pak më vonë se Bologna e Italisë dhe Mannheim i Gjermanisë, por që më 1270 Durrësi kishte shkollë të lartë dhe më pas universitetin e parë, edhe pse ishte më shumë me drejtim kishtar. Ky Universitet më pas u trasferua në Zarë prej frikës së pushtimit osman dhe rektor ishte një piktor durrsak, Gjon Durrsaku.
Nën zotërimin Anzhuin të Mbretit Karl D’Anzhu e më pas të Givanna D’Anzhu, quhej Mbretëria e Shqipërisë dhe lulëzonte kultura, arti, tregtia dhe mirëqenia. Të cilat as tërmeti i madh, i tmerrshëm i 1270 nuk e zhbënë dot, prandaj mbreti dha fonde dhe u bë rindërtimi në kohë rekord.
Osmanët e pushtuan më 1501-2 duke e trasformuar nga qendër tregtare e kulture e rajonit në “një fshat me kështjellë të rrënuar”,- sipas Pjeter Bogdanit. Më 1912 qyteti ynë madhështor dhe i përjetshëm, nga 100 mijë banorë që kishte që më 480 e.s, kohë kur u ndërtua Amfiteatri 20 mijë vendesh, në 4700 banorë. Vërtetë një fshat.
Nga e gjithë kjo histori që ju rrëfeva, me modesti, sepse s’jam historian, ne kemi zero statuja. Zero monumente kulture. Zero kujtesë historike të vizitueshme për ne dhe për vizitorët e huaj.
Ah, jo, më falni. Kemi statujën e kryebashkiakut të parë Hafiz, hoxhë…
Shteti yne ka për Kryeministër një piktor por në Durrës është kujdesur të ndërtojë Velierën, e çuditërisht asnjë skupturë për të gjitha këto figura historike e të tjera që nuk kam përmendur. Madje në të gjithë Shqipërinë nuk di nëse bëhen gjithë-gjithë 100 statuja e shtatore. Ndërsa në Itali, Greqi, Mbretërinë e Bashkuar e kudo në botë, 100 statuja i ka vetëm një qytet.
Kultura e një vendi nuk matet me të bërtitura por me vepra arti, me libra, me kinema, me teatro, me biblioteka.
Në Durrës nuk ka as bibliotekë, as kinema, as librari, as statuja e madje edhe mozaikët e famshëm një e ka marrë Tirana dhe të tjerët janë nën dhe, herë të betonizuar e herë të mbuluar me dhe, gjoja për konservim.
Shqiptarët enden rrugëve të botës, bëjnë universitete, shquhen, bëhen të mëdhenj në art e kulturë, në tregëti e biznes, madje edhe në shkencë, ndërsa në Shqipëri vetëm bërtasin dhe vijnë që ta vjedhin.
Tani le te kthehemi tek fillimi.
A jemi me kulturë apo jemi barbarë?





