DURRES, 23 prill 2013– Durrësit si një prej qyteteve më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj, në këtë prag sezoni turistik, i mungon ndriçimi publik. Rrugët në pjesë të ndryshme të qytetit bregdetar kanë mbetur në errësirë të plotë, ndërsa në shumë lagje ndriçimi ende nuk është vendosur nga bashkia.

Kushdo që udhëton pas orës 19.00, në zonat Plazh, Shkozet, Spitallë si dhe në sheshe e bulevarde kryesore të qytetit, konstaton se në rreth 80% të tyre mungon ndriçimi. Pjesa më e madhe e sistemit ndriçues të vendosura në trotuare, qëndrojnë të fikura.Errësira në rrugë mësohet të ketë sjellë dhe reagimin e banorëve pranë CEZ Shpërndarje.

Neritan Gole drejtori i CEZ-it në Durrës sqaron se qyteti furnizohet me 24 orë energji elektrike pa ndërprerje, duke ia faturuar mungesën e ndriçimit publik bashkisë së qytetit, pasi është kjo e fundit ajo që e menaxhon. Sipas Goles, në drejtorinë e CEZ-it kanë mbërritur shumë ankesa për mungesën e energjisë elektrike në rrugë nga qytetarët durrsakë.

Ai vijon më tej duke thënë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e neglizhencës nga ana e bashkisë së Durrësit, e cila në këtë prag sezoni nuk ka marrë asnjë masë për ofrimin e këtij shërbimi publik për qytetarët, ndonëse këta të fundit janë taksa-pagues të rregullt. Sipas Goles, CEZ Shpërndarje ka marrë të gjitha masat, që qyteti të furnizohet me energji, por është bashkia ajo që duhet të mos kufizojë energjinë.

Bashkia e qytetit të Durrësit e pranon situatën, por kjo e fundit e justifikon mungesën e saj me defektet që janë shkaktuar në dy kabina elektrike.

/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/