Nga Mark Brunga

Kriza e thatësirës ka prekur pikërisht zonën turistike, Durrësin dhe rrethinat e tij. Edhe pse qe propaganduar rritje e sasisë së orëve të furnizimit, thatësira tashmë është prezente në shumë zona. Duke filluar nga Shkëmbi i Kavajës deri në plazhet e Golemit, zona turistike ndodhet pa sasinë e ujërave të duhura për të përballuar sezonin. Kjo mungesë nuk ka shqetësuar pushuesit, por edhe bizneset e hotelerive, të cilët kanë nisur të shprehin pakënaqësinë e tyre dhe kërkojnë zgjidhje urgjente. Për këtë, shume biznesmenë dhe pushues kanë firmosur një peticion që kërkon të merren masa efikase për furnizimin me ujë të pijshëm, mungesa e të cilit ka sjellë si pasojë uljen drastike të numrit të pushuesve pranë këtyre plazheve si dhe humbje tepër të mëdha financiare për hotelet, restorantet, diskot dhe për familjarët. Shumë pushues edhe pse kanë prenotuar për të ndenjur gjatë në bregdetin e Durrësit, kanë braktisur pushimet për këto mungesa. Për këtë arsye, shume lokale kanë filluar që të blejnë ujin me autobote, një biznes mjaft fitim prurës e spekulativ në këtë periudhë thatësire në çezmat Durrsake. Për këtë situatë Drejtori i Ujësjellësit Doklead Ademi ka deklaruar se ka qenë ujësjellësi i Kavajës ai që ka mbyllur saraçineskat e furnizimit me ujë në Shkëmbin e Kavajës, duke shkelur marrëveshjen e bërë mes tyre. Në një deklaratë të tij për mediat, ai ka deklaruar se ky qytet furnizohet me ujë nga rezervuari i Manskurisë që është në varësi të ujësjellësit të Kavajës. Por u bënë disa ditë që ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore, duke lënë pa ujë zonën turistike. Ujësjellësi i Kavajës ka shkelur kontratën, ku 25% e sasisë së ujit të prodhuar nga Manskuria t’i kalonte kësaj zone”. Sipas tij, Ujësjellësi i Kavajës prej pesë ditësh ka mbyllur saraçineskën kryesore edhe për Golemin, dhe e gjithë zona nuk ka ujë të pijshëm. “Nuk e di ku po e çon ujin ujësjellësi i Kavajës, por di të them që situata është kritike dhe e rëndë”, ka shtuar ai. Pas kontakteve të bëra, ujësjellësi i Durrësit ka shpresuar se që nga dita e djeshme do të bëhet furnizimi me ujë i zonës së Shkëmbit të Kavajës dhe gjithë zonës së Golemit. Sipas tyre, kjo situatë ka agravuar pasi pretendohet se Ujësjellësi i Durrësit nuk ka paguar faturat ujësjellësit të Kavajës, dhe për këtë është mbyllur saraçineska për Shkëmbin e Kavajës. Po, sipas Ademit kjo nuk është e vërtetë pasi ata nuk kanë detyrime ndaj Ujësjellësit të Kavajës. Ndërkohë situata është e rënduar edhe brenda në Durrës. Ademi ka sqaruar se popullsia e qytetit është rritur mjaft dhe nuk përballohet më pasi edhe rrjeti është i amortizuar. “Sasia e ujit që vjen në Durrës është për 100 mijë banorë, ndërkohë që ne furnizojmë mbi 350 mijë”, thotë ai. Të njëjtin problem e vuajnë edhe banorët e kënetës. Që në fund të dhjetorit të vitit 2010 kanë nisur ankesat nga banorët e kësaj zone në qytetin e Durrësit. Madje, ata protestuan se mbi 7500 banorë që jetojnë në zonën pilot të-ish kënetës në Durrës prej disa ditësh kanë mbetur pa ujë të pijshëm, pasi ishte duke u bërë një ndërprerje në disa nyja të caktuara ku do të lidheshin tubacionet e reja. Këtë e pohojnë vetë banorët, të cilët thonë se që para 2 vitesh është bërë një investim prej 1.3 milion lekësh të vjetra dhe se në çdo banesë janë vendosur tubacione si dhe sahatet përkatëse, por këto sahate nuk i kontrollon kush dhe ata janë të detyruar të presin fatura afrofe gjatë gjithë kësaj periudhe. Reagimi i banorëve erdhi përmes një proteste në këtë zonë, protestë e cila në një pikë ndërprerje ka pasur tone të larta konfliktuale. Shumica e tyre u shprehën se janë me libreza dhe pagues të rregullt të faturave të ujit dhe s’ka pse të lejohen dënime kolektive, por uji t’i ndërpritet secilit tek matësi i tij në banesë.

Rrashbulli në protestë, 2 muaj pa ujë

Mungesa e ujit të pijshëm ka nxjerrë në protestë banorët e zonë së Rrashbullit. Bëhet fjalë për 300 mijë familje të kësaj komune që prej më shumë se dy muajsh vuajnë mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre. Ata janë shprehur të irrituar nga mungesa e vëmendjes që po tregojnë drejtuesit e Ujësjellësit Durrës. Sipas banorëve, drejtues të lartë të këtij institucioni kanë ardhur në këtë zonë vetëm gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit duke bërë të mundur furnizimin me ujë vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve. Por vetëm kaq. Banorët janë detyruar t’i kthehen sërish mungesës rutinë të ujit pas kësaj date. Pas vetëm dy ditësh, uji nuk ka shkuar më në çezma. “Në të gjithë zonën duhet të shtronin tubacionin e ri të ujësjellësit, na thanë që do të lidhim edhe kontrata të reja, por puna u ndërpre, nuk vendosën as tubacionin e ri dhe as sahatet në zonën tonë. Në lagjet e tjera e dërguan ujin e pijshëm. Ky është diskriminim, pa ujë të pijshëm, jemi kthyer si në mesjetë”, thotë Rustem Demiri, banor i kësaj komune. Shumë banorë kanë deklaruar se këto kriza në furnizim bëhen qëllimisht për të tregtuar me autobote duke akuzuar punonjës të ujësjellësit ashtu dhe privatët që spekulojnë me thatësirën. Ata kanë thënë se botet mbushen në Shkozet dhe uji që s’na vjen me tubat e çezmave na e sjellin me autobote. Për të gjetur shpëtim, ata kanë deklaruar se janë të detyruar që të dalin në rrugë dhe të bllokojnë rrugën nacionale. “Jemi sorollatur sa tek komuna, aq edhe tek drejtoria e ujësjellësit, e nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje”, janë shprehur banorët. Kjo është rutina me të cilën përballen prej muajsh banorët e Rashbullit.

Ujësjellësi, shkatërrohet investimi 1.3 milionësh

Ujësjellësi, 95% e banorëve nuk paguajnë detyrimet. Banorët: Dënime kolektive, marrim fatura afrofe

Zona e Kënetës në Durrës është ndër zonat e shumta problematike që e vuan prej disa vitesh mungesën e ujit të pijshëm. Kjo ka qenë arsyeja për të cilën herë pas here ata janë ankuar, madje edhe kanë dalë në protesta. Por, pa rezultat. Ndërsa përgjegjësit e ujësjellësit të qytetit ia kalojnë këtë përgjegjësi vetë banorëve, të cilët sipas tyre janë debitorët më të mëdhenj. Sipas titullarëve të ujësjellësit në Durrës rreth 95 për qind e banorëve nuk kanë paguar detyrimet kundrejt këtij institucioni. Për më tepër, ata kanë kërcënuar se nëse nuk do të paguajnë të gjitha debitë, madje edhe ato disa vjeçare, uji nuk do rilidhet. Kështu ka deklaruar kryeinxhinieri i ujësjellësit Franc Stajka. Pas këtyre reagimeve në Kënetën e Durrësit, shoqata që operon në zonën e ish-Kënetës, “Jeta e Re” duke e cilësuar ndërprerjen e ujit dhe shkatërrimin e tubacioneve të vendosura më parë si krim ndaj investimeve publike, i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit (Sektorit të Krimit Ekonomik) me kërkesën për ndjekje ligjore ndaj shkatërrimit të investimeve dhe veprave publike në zonën e ish-Kënetës nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës me drejtor Dokleat Ademin. Denoncuesi Nikollë Prenga, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës “Jeta e Re” ka deklaruar ne polici se në ish-Kënetë janë shpenzuar për rrjetin ujor, elektrik e rrugor rreth 4.6 milion Euro, të cilat po groposen pas “i ka marrë lumi si pasojë e mos planifikimit racional e perspektiv”. Denoncimi me shkrim thekson se në zonën pilot me 2 parcela është kryer një investim prej 1,3 milion eurosh për rrjetin e ujit të pijshëm ku janë sistemuar linjat dhe matësit e ujit të pijshëm në çdo shtëpi sipas projektit. Denoncuesi vëren se për çudi, drejtori i ujësjellësit e shkatërron në mënyrë kriminale natën rrugën e asfaltuar dhe investimin “sikur të ishte një agresion ushtarak, sikur të mos ishin qytetarë të Shqipërisë këtu, sikur të mos ishin paratë e taksa paguesve të shtetit shqiptar”. Denoncuesi Prenga shfryn dufin e tij duke thënë se ‘edhe të burgosurit nuk lihen pa ujë’ dhe se është e papranueshme që qytetarët të dhunohen në këtë mënyrë. “Për mos pagesat ka rrugë ligjore, theksohet në denoncim, se ai kishte rubinetet në dorë që mund t’i mbyllte dhe jo të shkatërronte rrjetin e vendosur me parë”, vë në dukje Prenga. Denoncimi vëren se ujësjellësi nuk ka zbatuar ligjin nr 10418 te dt 21.04. 2011 të Kuvendit të Shqipërisë neni 30 i këtij ligji për faljen e detyrimeve të kamatëvonesave dhe gjobave deri me 30 dhjetor 2010, por se penalizohen qytetarët arbitrarisht. Denoncuesi thekson se komuniteti është i gatshëm t’i përgjigjet ligjit dhe detyrimeve për vitin 2011, “por kurrë masave shkatërrimtare të drejtorit të ujësjellës kanalizimeve që e vënë veten mbi Kuvendin e Popullit dhe Qeverinë”. I kontaktuar nga “Shekulli”, Nikollë Prenga ka deklaruar se që nga data e denoncimit zyrtar që i ka bërë Doklead Ademit, drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve të zonës së Durrësit, ai nuk është thirrur asnjëherë për t’u pyetur.

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=28336&kat=109