Durrësi prej vitesh tashmë është kthyer në një qytet shumë të preferuar nga italianët për të jetuar.

Pas bizneseve të shumta të ngritura përgjatë 30 viteve dhe boom-it turistik të kësaj vere me turistë nga Italia, qyteti bregdetar shihet nga fqinjët si një vendqëndrim afatgjatë për të jetuar, pse jo dhe për të pleqëruar.

Më të fundit që kanë zgjedhur Durrësin për të jetuar, janë çifti Viola Valentino dhe Francesco Mango.

Vendi i shqiponjave ka qenë një dashuri me shikim të parë për Francesco-n, që më pas bindi edhe bashkëshorten këngëtare që të shpërnguleshin nga Italia, për t’u vendosur në zonën e plazhit.

Klima, deti, njerëzit por edhe mikpritja shqiptare kanë qenë për këtë çift italian “armët e forta” që i bindën përfundimisht për të zgjedhur Durrësin si qytetin ku do të jetojnë tashmë.

Viola rrëfen se kjo përzgjedhje nuk e penalizon aspak nga karriera e saj artistike, që do të vijojë njësoj si në Itali, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka nisur prej kohësh ta reklamojë Shqipërinë tek miqtë e tyre,  një pjesë prej të cilëve i presin që t’i vizitojnë në pranverë.

“Vendosa të jetoj këtu sepse bashkëshorti im është i dashuruar me këtë vend. Unë nuk e njihja mirë. Kisha ardhur ndonjëherë, por jo kaq gjatë. Ndihesh mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Njerëzit janë të këndshëm dhe pozitivë. Është edhe deti, një nga gjërat më të bukura në botë.

Aktivitetin tim si këngëtare do ta vazhdoj njësoj si në Itali. Koncerte, televizione nëpër botë, takime me shumë njerëz që më duan. Do të përpiqem të bëj më të mirën. Do të ofroj krijime të ndryshme, që tërheqin vëmendjen, për të më njohur dhe vlerësuar akoma më shumë.

Vendimin tonë për të ardhur e jetuar në Shqipëri, miqtë tanë e pritën me opinione pro dhe kundër. Ka midis tyre që nuk do ta linin asnjëherë Italinë. Ka të tjerë që gjithmonë janë në lëvizje. Unë jam e lirë. Nëse gjatë këtij udhëtimi në botë gjen një vend mikpritës, ku njerëzit janë të mirë, janë pozitivë, ndihesh akoma më mirë. Ndërton një strehë nga e para. Ajo që po bëjmë unë dhe bashkëshorti im.”,- rrëfen Viola Valentino.

Për Francesco-n që menaxhon karrierën e bashkëshortes, dashuria e tij për Durrësin dhe Shqipërinë nuk u ndal vetëm tek zgjedhja për të ardhur e jetuar këtu, por këtë dashuri e ka vulosur me një tatuazh.

“Jam shumë i lidhur me Durrësin, sepse nëna ime erdhi të punonte këtu në ’97, me ndihmat humanitare me ushtrinë. Ka bashkëpunuar edhe me zyrtarë shqiptarë. Më këshilloi që të zgjidhja Shqipërinë për pushime.

Në Shqipëri për herë të parë erdha në vitin 2005. Ishte dashuri me shikim të parë dhe më pas vazhdova të vij rregullisht. Ndihem shumë mirë. Sinqerisht do të dëshiroja që pleqërinë time ta kaloja në Shqipëri. E them me gjithë zemër. Kam bërë edhe një tatuazh. Këtë vend e kam shumë në zemër.

Edhe miqve të mi që e dinë që jam këtu, ju flas gjithmonë dhe tani duan edhe ata të vijnë.

Jam i bindur që shumë prej tyre do vijnë në pranverë për ta vizituar”,- thotë ai.

Numri i shtetasve nga Italia që jetojnë në Durrës ka njohur një rritje të konsiderueshme përgjatë viteve të fundit.