1 qershor 2015 – Durrësi do të ketë një pishinë verore moderne me përmasa olimpike, punimet për të cilën tashmë kanë nisur, ka qenë kjo deklarata e kryebashkiakut dhe njëkohësisht kandidatit  të Aleancës për Shqipërinë Evropiane Vangjush Dako, në një takim me sportistë dhe trajnerë të qytetit të Durrësit në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

Ky projekt sipas Bashkisë kushton 500 mijë dollarë dhe pas 2 apo 3 muajsh pishina do të jetë gati.

“Vetëm disa ditë më parë kemi nisur ndërtimin e pishinës olimpike për qytetin, një pishinë me standarde bashkëkohore, e cila i mungonte prej 20 vitesh qytetit, një qyteti me traditë në sportin e notit. Në durrës për çdo vit në muajin shtator zhvillohej kampionati kombëtar i notit. Puna ka filluar dhe për 2-3 muaj ajo do të jetë gati për të qenë në dispozicion vetëm të sportistëve për të kryer stërvitjen dhe garat e sportit të notit”, u shpreh Dako.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/