Qyteti bregdetar i Durrësit është përfshirë nga një mot i paqëndrueshem, i cili ka krijuar probleme në disa sektorë në port. Për shkak të motit të keq, sektori i peshkimit dhe ngarkim-shkarkimit ka pezulluar punën deri në përmirësimin e kushteve klimaterike.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme Detare informon lundërtarët dhe pronarët e mjeteve detare, operatorët në portet e RSH-së dhe hapësirën detare, që sot bregdeti ynë do të përfshihet nga erëra me shpejtësi deri 20 m/s nga drejtimi Jug-JugPerëndim dhe forca deti 7-8 shkalla Boufort.

“Ju lutemi gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rritet shkalla e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete. Ndërkohë, me urdhër të Kapitanerisë detare, asnjë anije e tonazhit të mesëm dhe të vogël nuk do të lejohet të dalë në det të hapur deri në një urdhër të dytë”, theksohet në njoftim.

Sipas burimeve nga Kapitaneria e përgjithshme, tragetet kanë mbërritur dhe pritet të nisen në oraret e përcaktuara.