Artan Hoxha një prej themeluesve të Partisë Demokratike në Durrës në një intervistë për të përjavshmen “Dyrrah” sjell një copëz historie nga momentet e themelimit të kësaj partie në Durrës. Një prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë, Ministër i Tregtisë dhe Ekonomisë (1992-1993),  si dhe një prej zërave më aktivë ne debatet e ndryshme në media rrëfen se prej 1993 e në vazhdim ka mbajtur një pozicion disi më të distancuar nga strukturat lokale dhe qendrore të PD-së duke u fokusuar më shumë në botën akademike si dhe në aktivitetin e tij privat.

Si do ta kujtoni z. Hoxha themelimin e Partisë Demokratike në Durrës, mund të na jepni një pasqyrë të saktë të atyre ditëve?

Nuk e kam të lehtë përgjigjen, pasi nuk mbaj shënime dhe aq më shumë nuk më pëlqen të kujtoj sepse me duket si ato rrëfimet e mërzitshme të veteraneve më të cilat na kishin “ngopur” gjatë komunizmit. Por më kanë mbetur përshtypjet e mira të atyre ditëve, pas demonstratave në Qytetin Studenti, themelimit të Partisë Demokratike në Tiranë dhe fillimit të ngritjes së degëve të saj në të gjitha rrethet e vendit.

Dega PD-së së Durrësit ishte ndër të parat që u ngrit me nismën e disa burrave me vizion, kurajo dhe përkushtim, të cilët i njoha në ato ditë të fundit të dhjetorit ‘90.  Kujtoj që u mblodhëm në shtëpinë e Minush Jeros, dramaturgut të mirënjohur dhe të persekutuar nga regjimi komunist.

Aty i dhamë jetë themelimit të degës së PD-së Durrës dhe filluam punën organizative për ngritjen e seksioneve, organizimin e mitingut të parë që u mbajt me 3 janar 1991, pjesëmarrjen në zgjedhjet e 31 marsit 1991 ku dolëm fitues me rezultat dërrmues në rrethin e Durrësit dhe kështu në vazhdim.

Ishte një periudhë shpresash. Durrësi ishte një mjedis mjaft i favorshëm. Kishim vështirësi, por tonat ishin të pakta nëse krahasojmë Durrësin me rrethe të tjera, ku regjimi komunist ishte ende i fortë dhe i aftë të frikësonte njerëzit. Në Durrës PD-ja u ngrit shpejt. Mbështetja popullore ishte e hapur, e fortë dhe masive.

Ju ishit ndër më të rinjtë. A haset në paragjykime e skepticizëm për këtë shkak?

Jo, as që bëhej fjalë. Lëvizja demokratike nisi me revoltën e studentëve dhe gjeti përkrahje të gjerë, ndaj të qenurit i ri nuk kish se si te ishte pengesë apo shkak paragjykimi për moshën studentore dhe jo më për pak më të rritur. Ndoshta një farë hezitimi fillestar ka mundësi të ketë qenë prezent mes qytetarëve durrsakë, diçka e lidhur me pasigurinë se ç’do të ndodhte, nëse me të vërtetë i kishte ardhur fundi regjimit komunist dhe të tjera hezitime si këto.

Por qytetaria durrsake i kapërceu shpejt këto hezitime të kuptueshme. Mitingu i 3 janarit i lajmëruar veç me tre shpallje në qytet, por i përhapur si lajm e ftesë në mënyrë të rrufeshme nga vetë njerëzit, tregoi me pjesëmarrjen masive se durrsakët kishin lënë pas hezitimet, dyshimet, pasiguritë dhe kishin vendosur t’i jepnin fundit regjimit komunist një orë e më parë.

Mund të flitet për një politikë më idealiste në 1991 sesa aktualisht, cili është mendimi juaj?

Çdo kohë ka idealizimin e saj. Vitet 1990-1992 ishin vitet e përmbysjes së madhe të komunizmit të ashpër dhe të zgjatur. Ndaj emocionet, vizionet, angazhimet s’kishin se si të mos ishin maksimale dhe të papërsëritshme. Aq më shumë që në atë kohë ishim një shoqëri e zhveshur tërësisht nga interesat materiale.

Shqiptarët ishin pa punë, pa të ardhura, pa prona. Ndaj angazhimet ishin më së shumti idealiste për një sistem të ri. Në kohët e sotme janë në lojë interesa konkrete. Por kjo nuk më bën të mendoj se sot s’ka ideale dhe se gjithçka është materiale dhe e shëmtuar.

Pastaj, tek e fundit, ne të gjithë kërkuam dhe mundësuam një sistem të ri të demokracisë dhe ekonomisë së tregut me qëllimin që çdo individi t’i jepej shansi të kënaqte interesat e veta politike, ekonomike, shpirtërore dhe materiale ndaj s’ka se pse të ndjejmë ndonjë zhgënjim nëse sot njerëzit kanë mundësi të realizojnë interesat materiale, përndryshe do të binim në kontradiktë me ç’kërkuam në fillim të viteve 90-të.

Sa ka ndryshuar PD-ja e Durrësit prej 1991 në 2012, sa të përfaqësuar janë themeluesit e parë në jetën politike aktuale (kujtoj Bardhyl Baltëzën, Vaso Llapa, Shyqyri Carën,  etj )?

Që prej vitit 1993, s’kam lidhje të afërta me strukturat e PD-së, qoftë qendrore e qoftë në Durrës ndaj s’mund t’i përgjigjem mjaftueshëm kësaj pyetje. Por besoj se PD-ja në Durrës ka evoluar siç ka evoluar PD-ja kudo dhe siç ka evoluar Shqipëria. Ky është proces normal dhe s’ka kuptim të jetë ndryshe. Ndërkaq, vlerësoj se PD-ja e Durrësit ruan kujtesën e historisë së saj dhe vlerëson e respekton kontributet e gjithsecilit.

 

S’kam lidhje të afërta me strukturat e PD-së, qoftë qendrore e qoftë në Durrës që prej vitit 1993, por besoj se PD-ja në Durrës ka evoluar siç ka evoluar PD-ja kudo dhe siç ka evoluar Shqipëria. Ky është proces normal dhe s’ka kuptim të jetë ndryshe. Vlerësoj se PD-ja e Durrësit ruan kujtesën e historisë së saj dhe vlerëson e respekton kontributet e gjithsecilit

Nuk kam lidhje aktive me strukturat e PD-së në qendër dhe në Durrës, por ama informohem dhe analizoj zhvillimet e brendshme në PD, përfshirë atë të Durrësit, në funksion të analizës së politikës dhe debatit publik mbi të.

Z. Hoxha, ju jeni angazhuar personalisht për krijimin e gjykatave administrative. Si e vlerësoni projektligjin e gjykatës administrative?

Kompetencat vendimmarrëse të gjykatës administrative i japin jetë një roli më aktiv e më të fuqishëm të saj në raport me organin administrativ. Projektligji propozon eksplorimin përtej kufirit klasik të shqyrtimit të ligjshmërisë dhe i jep gjykatës kompetencën që të marrë vendime që në një farë mase “zëvendësojnë” organin administrativ duke rritur sa shpejtësinë aq edhe sigurinë në vendosjen e drejtësisë dhe ekzekutimin e saj qoftë edhe me mjete detyruese e ndëshkuese kundër zyrtarëve pengues.

Shkurt, gjykatave administrative shqiptare iu jepet fuqi sipas modeleve më të avancuara të simotrave europiane. Çështjet lidhur me shtrirjen territoriale dhe numrin e gjykatave natyrshëm që mbeten ende të diskutueshme. Projektligji propozon të paktën gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë dhe vetëm një gjykatë të apelit.

Ky është një hap centralizues krahasuar me gjendjen aktuale ku çështjet administrative gjykohen në 22 gjykata të shkallës së parë dhe gjashtë gjykata apeli. Rritja e numrit të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit është një nga zgjidhjet e mundshme, por me efektin e kundërt mbi mundësitë për specializimin e gjyqtareve për shkak të numrit gjithnjë e më të vogël të rasteve për gjyqtar dhe/ose të numrit të gjyqtarëve për gjykate.

Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës për këtë çështje?

Opozita i dha jetë fazës së fundit konsultuese për projektligjin e gjykatave administrative. U bënë katër vite që diskutojmë për këtë reformë. Kushdo që ka patur diçka për të thënë ka patur të gjitha mundësitë të shprehet.

Komisioni i Ligjeve, pjesa më e madhe e anëtarëve të të cilit janë edhe ndër juristët më të mirë të vendit, ka aftësinë, mobilizimin, tashmë edhe atmosferën e përshtatshme për të filtruar sugjerimet dhe për të adoptuar ato dhe vetëm ato ndryshime që e përmirësojnë projektin fillestar.

Me çfarë merreni aktualisht dhe keni menduar ndonjëherë për t’u rikthyer në instancat qendrore pse jo dhe lokale të Partisë Demokratike?

Objektivi im absolutisht parësor është suksesi i Tirana Business University, të cilin e kam themeluar me dy partnerë të tjerë dhe ku po investoj kohë, ide dhe kapital. Ndaj, angazhimi politik i drejtpërdrejtë nuk bën ende pjesë në objektivat e mia dhe vështirë që të bëjë pjesë të paktën edhe për disa vite.

Ndërkaq, pjesëmarrja në debatet publike në media si dhe angazhimet me studime e rekomandime për disa reforma institucionale, ligjore dhe ekonomike prej shumë vitesh tashmë janë, tërthorazi, edhe angazhime politike.

KARRIERA

 

Kush është Artan Hoxha

Përfundoi studimet në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës (1984-1989) më pas kreu studimet pasuniversitare Master në degën Ekonomi e Mjedisit & Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995). Ministër i Tregtisë dhe Ekonomisë (1992-1993). Aktiviteti i tij vazhdon duke marrë titullin trajner i licencuar në Administrim Biznesi nga ILO Training Center në Torino të Italisë 1997-ën. Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim; anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010); anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë; anëtar i Bordit Këshillimor të Televizionit Ora News; anëtar i Bordit Këshillimor të Revistës Monitor; themelues, anëtar dhe Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar. Përgjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare, ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale. Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.