U përkujtua sot në Durrës 84-vjetori i rezistencës antifashiste shqiptare.

Autoritetet qendrore dhe vendore, veteranë dhe familjarë të dëshmorëve bënë homazhe pranë monumentit të Heroit të Popullit, Mujo Ulqinaku, që u shndërrua në simbol të rezistencës më 7 prill 1939, së bashku me patriotë të tjerë durrsakë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast u nderua kujtimi i atyre që dhanë jetën në luftë me pushtuesit fashistë.

“Ka data që në nderim të brezave ndryshojnë vlerësim, sikundër kjo e sotmja që nuk ndërrojnë kahe kurrë. I tillë është 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Evropën, vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Parë Botërore. Ishte hera e parë që Shqipërisë, shtetit më të ri të Evropës i shpallej zyrtarisht luftë”,– tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Ardian Gurra, drejtori i kulturës në bashki.

Organizata e veteranëve kishte vendosur të zgjeronte sot radhët me 3 anëtarë të rinj, një prej të cilëve mbesa e Mujo Ulqinakut, Etleva. Së bashku me të u anëtarësuan edhe Miço Dano dhe Agron Klosi, trashëgimtarë të veteranëve të Durrësit.

Kishin kaluar vetëm 27 vite nga shpallja e pavarësisë, pas një pushtimi 400-vjeçar dhe Shqipërisë i duhej të përballej me një pushtim të ri. Ditët që i paraprinë pushtimit ishin të mbushura plot ankth për familjen e Mujos, pasi dukej se ai kishte vendosur dhe as fjalët e të afërmve dhe të njohurve nuk e prapsën nga vendimi për të sakrifikuar jetën e tij”,- tha mbesa e heroit, Etleva Ulqinaku.

Pas homazheve në memorialin e rezistencës antifashiste, nuk munguan edhe nostalgjikët e regjimit të kaluar.

Elementi armik këtë do, të kemi përçarje. Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë ditë të madhe të 7 prillit. Lavdi dëshmorëve të 7 prillit dhe gjithë Shqipërisë”,– deklaroi një nga veteranët, që nuk nguroi të nderonte me grushtin lart.

7 prilli i vitit 1939, ka hyrë në historinë e Durrësit si dita kur nisi pushtimi i Shqipërisë. Pushtimi italian konsiderohet një nga aktet e para agresive të fashizmit në Evropë.

M.B.