Durrësi përkujtoi sot 86-vjetorin e rezistencës ndaj pushtimit italian. Me këtë rast, autoritetet vendore kryen homazhe dhe vendosën kurora me lule për të nderuar kujtimin e Mujo Ulqinakut dhe patriotëve të tjerë durrsakë, që atë ditë të premte dhanë jetën duke luftuar me pushtuesit italianë.
“Ajo ditë, 7 prilli 1939 është quajtur edhe “e premte e zezë”, epitet që shpjegon frazeologjinë me faktin se qe e premte, por e kthyer në të sterrosur, sepse ai agresion cënoi sovranitetin tonë territorial, cënoi një vend të rropatur në shekuj në luftëra, që këtë herë u bë pre e një koalicioni famëkeq, që do të tregonte barbarinë e tij përgjatë Luftës së II Botërore”,- deklaroi Ardian Gurra, drejtori i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe komuniteteve fetare në bashkinë e Durrësit.
Ndërsa mbesa e Mujos, Ilda Ulqinaku, u shpreh e nderuar, që qyteti çdo vit kujton gjyshin e saj dhe patriotët e tjerë nga Durrësi, që dhanë jetën për atdheun e tyre.
Tashmë kur kanë kaluar 86 vite nga ajo ditë historike për qytetin bregdetar, marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira, sesa kurrë më parë.
Lidhjet e forta që Durrësi ka pasur gjithnjë me fqinjin përtej detit, në këto 30 vite janë forcuar edhe më, pasi nuk janë vetëm durrsakët që emigrojnë drejt Italisë, por janë italianët, që kanë zbuluar “tokën e premtuar” në vendin e shqiponjave.
“Janë vëllezër, jo miq. Po flasim për dy vende që bashkohen, respektohen dhe ndihmojnë njëri – tjetrin. Të mos harrojmë që janë periudhës së Covid -19, ishte Shqipëria që i erdhi e para në ndihmë Italisë”,- thotë për “DurrësLajm”, Michele Sassanelli, një sipërmarrës italian.
Ndërsa Guerrino D’Emilio, një pensionist italian që jeton prej 3 muajsh në zonën e plazhit, mendon se ajo çfarë ka ndodhur 8 dekada më parë është vetëm një moment i shëmtuar, i harruar tashmë.
“Zgjodha Shqipërinë pikë së pari për stilin e jetesës, që është shumë i ngjashëm me tonin. Gjeta shumë ngjashmëri këtu mes Shqipërisë dhe Italisë dhe ndihem shumë mirë këtu. Ajo çfarë ka ndodhur në të kaluarën mund të konsiderohet moment i shëmtuar, por tashmë janë harruar, sepse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të mira.”
Vitet e fundit, italianët kanë zbuluar Shqipërinë në të gjitha kuptimet e fjalës dhe të shumtë janë ata që jetojnë apo punojnë prej vitesh në Durrës, apo vijnë këtu për të kaluar pushimet.
M.B.