Durrësi është thuajse 100% i rezervuar për mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

Për këtë vit kërkesa ka qenë shumë herë më e lartë në krahasim me vitin e kaluar. Ka qenë aq e lartë sa rezervimet janë mbyllur që në 2-javorshin e parë të dhjetorit”, thotë operatori turistik Aleksandër Ganolli.

Për bizneset në sektorin e shërbimit, kjo është dhe një sfidë, për t’ju përgjigjur siç duhet kujtdo që ka zgjedhur qytetin bregdetar për këtë festë të rëndësishme.

Menaxherja Anjeza Selimaj na tregon se “rezervimet kanë filluar që në ditë e para të muajit nëntor. Shohim një rritje të konsiderueshme të rezervimeve me akomodim.

Jemi drejt limitit, gati 99% të rezervuar, por kapaciteti është goxha i lartë dhe ne mundohemi t’i presim të gjithë mysafirët.”

Prandaj, siç Durrësit i takon, operatorët turistikë kanë përgatitur paketa, që kënaqin xhepat e secilit.

“Ne kemi paketa me akomodim dhe darkë të përfshirë, por edhe vetëm me darkë dhe çmimi fillon nga 99 euro për person”, shpjegon ndër të tjera Selimaj, ndërsa Ganolli shton “paketa jonë e fundvitit ka 3 ditë dhe 2 netë, përfshirë sigurisht mbrëmjen gala. Ka qenë pozitive për turistët që vijnë nga jashtë.

Të flasim me shifra konkrete, për mbrëmjen e 31 dhjetorit, paketa vetëm me ushqim kushton 110 euro personi, ndërsa me akomodim shkon 130 euro personi.

Paketa që ja kanë dalë të tërheqin turistë, me këta të fundit që flasin me superlativa për qytetin bregdetar.

“Unë vij nga Belgjika. Kjo mund të jetë hera e 100-të që vizitoj Shqipërinë, vij shpesh këtu, por është hera e parë që po kaloj festat e fundvitit në vendin tuaj. Jeni padyshim njerëzit më mikpritës në botë, më pëlqen shumë kjo. Koha pastaj është edhe më fantastike, vetëm shiko pak sa diell ka në fund të dhjetorit.”

“Vijmë nga Gjermania dhe do të qëndrojmë 14 ditë në total këtu. Nuk është hera e parë që vijmë, por këtë herë po qëndrojmë pak më gjatë, sepse festuam Krishtlindjen dhe do të presim edhe Vitin e Ri këtu.
Unë udhëtoj shumë, kam qenë stjuardesë, kam shkuar në shumë vende, kam takuar shumë njerëz, por këtu është shumë ndryshe, shumë e veçantë. Njerëzit janë shumë më miqësor.“

“Në një moment njerëzit na morën dhe nisëm të gjithë të kërcenim muzikë shqiptare. Ushqimi pastaj ishte fantastik, e kemi shijuar shumë”, thonë disa prej tyre.