Porti i Durrësit duket se ka nisur ta humbë hegjemoninë si porti më i madh në vend.
Ajo që “DurrësLajm” kishte paralajmëruar muaj më parë duket se po ndodh dhe këtë herë janë shifrat kokëforte që e dëshmojnë këtë.
Në fund të janarit të këtij viti, në shkrimin me titull “Porti i Durrësit bosh, “zhduken” anijet e mallrave. I merr koncesionari MBM” ngritëm shqetësimin se porti më i madh në vend po humbte mallrat gjenerale (rifuxho), pasi anijet cargo kishin tashmë si destinacion final koncesionarin në Porto Romano, e jo portin e Durrësit.
Statistikat doganore të 6-mujorit të parë të këtij viti, të siguruara nga “DurrësLajm” na japin të drejtë. Megjithëse më shumë anije cargo kanë prekur portin e Durrësit në periudhën janar-qershor, volumi i mallrave gjenerale që ato kanë sjellë është më i vogël sesa i atyre të përpunuara në MBM port, në Porto Romano.
Konkretisht, në 6 muaj, 130 anije cargo janë përpunuar në portin më të madh në vend me një volum mallrash prej më shumë se 371 mijë tonë.
Ndërsa në MBM port, për të njëjtën periudhë të vitit janë përpunuar 119 anije, me më shumë se 421 tonë mallra.
Diferenca është 50 mijë tonë mallra më shumë sesa në portin e Durrësit.
Nëse tendenca do të vijojë e njëjtë edhe për periudhën e mbetur të vitit, në fund të 2022-it diferenca në volum mallrash mes dy porteve mund të thellohet edhe më shumë.
Mineralet si qymyr, krom etj thuajse nuk përpunohen më në port, sepse ato tashmë përpunohen në kalatat e koncesionarit të Porto Romanos.
APD ka tani për tani vetëm ekskluzivitetin e përpunimit të kontejnerëve, si i vetmi port në vend me logjistikën e nevojshme për njësitë kontejnerike.
Por edhe ky ekskluzivitet nuk duket se do të vijojë për shumë kohë. Koncesionari MBM po investon për ndërtimin e kalatës së kontejnerëve, ndërsa ka porositur dy vinça të rinj për përpunimin e tyre. Nga ana tjetër kompania MBM po investon fuqishëm në kalatat e saj dhe për blerjen e vinçave për përpunimin e mallrave gjenerale, gjë që po përkthehet në një numër të konsiderueshëm importuesish shqiptarë që po braktisin portin e Durrësit për t’iu drejtuar privatit.
Koncesionari (MBM) duket se po merr trafikun detar të portit më të madh në vend dhe ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur kalatat portuale rezervuar anijeve cargo do të jenë tërësisht bosh, duke i humbur shtetit shqiptar por edhe qytetit të Durrësit në të njëjtën kohë një aset të rëndësishëm, burim të ardhurash dhe investimesh.
Jo më larg se disa ditë më parë, drejtori i taksave në bashki Luan Dajko deklaroi para këshilltarëve bashkiakë se APD është borxhliu më i madh i bashkisë Durrës, në shumën rreth 15 milionë lekë të reja, vetëm si subjekt, duke mos llogaritur këtu të ardhurat nga koncesionet.
Nëse keqadministrimi i APD-së do të vijojë gjatë, si dhe përsa kohë do të rezultojë humbës në konkurencën me portet rivale (jo të vendeve të rajonit, por brenda të njëjtit qytet) nuk do të jetë e largët koha kur do t’i referohemi portit të Durrësit, si ish-porti më i madh në vend…
M.B.