Në rajonin e Kepit të Palit Durrës, u zhvillua stërvitja ndërinstitucionale “Durrësi SAREX 17”. Në këtë stërvitje ka marrë pjesë drejtori i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Tonin Marku. Në ditën e vizitorëve të shquar, të pranishëm ishin komandantë forcash dhe drejtues të institucioneve pjesëmarrëse që ndoqën nga afër zhvillimet më kryesore të stërvitjes, e cila drejtohej nga Forca Detare me pesë anije, Forca Ajrore me një helikopter, ForcaTokësore me një grup të Batalionit Special, Policia e Kufirit dhe Migracionit Durrës dhe Antikontrabanda Detare me nga një mjet detar secila si dhe personel nga Qendra Kombëtare e Kërkim Shpëtimit dhe Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
Stërvitja “Durrësi SAREX 17”, kishte si qëllim angazhimin e institucioneve pjesëmarrëse në veprime të përbashkëta për kryerjen operacioneve të kërkim shpëtimit (SAR), në përgjigje të fatkeqësive apo krizave të ndryshme humanitare si dhe zbatimin e ligjshmërisë në hapësirën detare. Drejtuesi i stërvitjes Razlind Shyti u ka shpjeguar pjesëmarrësve skenarin e stërvitjes mes të cilës edhe manovrën e bllokimit të kontrabandimit të lëndës narkotike në det të hapur me peshkatore.
Qëllimi kryesor i kësaj stërvitjeje ishte rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që kanë interesa në det, në dobi të ndalimit të aktivitetit kriminal si dhe përgjigjen në raste krizash apo situatash të ndryshme detare.
K.H.





