· Krye-transportuesi Haxhinasto kërkon bashkëpunim në det dhe hekurudhë, teksa nga prapa vjen jehona e keqe e dështimit të ndërmarrjes së përbashkët mes kantiereve të riparimit të anijeve të Durrësit dhe Gdanskut, pasojat e së cilës po i vuajnë ende mbi njëmijë ish-punonjës
DURRËS, 16 korrik 2014 – Qeveria shqiptare hedh sytë në detin Baltik, teksa kërkon investime polake në turizëm, transport etj. duke pasur në fokus Durrësin me detin dhe hekurudhat, ndonëse nga pas dëgjohet jehona e keqe e dështimit të ndërmarrjes së përbashkët mes kantiereve detare të Durrësit dhe Gdanskut, pasojat e së cilës po i vuajnë ende mbi njëmijë ish-punonjës durrsakë.
JA KU
Sikurse njofton më 16 korrik 2014 Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme, në kuadër të diplomacisë ekonomike, ky dikaster, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes zhvilluan në Tiranë sesionin e 5-të të komisionit të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik Shqipëri- Poloni.
Sipas burimit të mësipërm zyrtar, fushat me interes për një bashkëpunim më të ngushtë dhe që janë një mundësi e mirë për të tërhequr bizneset polake, u konsideruan bashkëpunimi ekonomik, tregtar dhe investimet, zhvillimi i zonave ekonomike dhe parqeve industriale, industria (sidomos në sektorët e prodhimit dhe përpunimit të brendshëm aktiv, kryesisht ushqimor dhe industria e veshjeve), bujqësia dhe industria përpunuese bujqësore, energjetika, transporti dhe infrastruktura, turizmi, mjedisi, teknologjia dhe inovacioni, shëndetësia, arsimi etj.
DET DHE TRENA
Po ashtu, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto u takua me zëvendësministrin e Ekonomisë së Polonisë, z Anxhej Diha (Andrzej Dycha), gjatë vizitës së tij si kryetar i delegacionit që mori pjesë në takimin e sesionit të 5-të të komisionit të përbashkët për bashkëpunim ekonomik Shqipëri-Poloni (shih foton kryesore), njoftoi zyra e shtypit.
Z. Haxhinasto theksoi që ekzistojnë shumë fusha ku mund të bashkëpunohet me Poloninë dhe domosdoshmërinë e rishikimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, nën optikën e integrimit evropian, veçanërisht në fushën e transportit dhe të infrastrukturës, duke identifikuar si fusha me potencial të lartë bashkëpunimi sektorët e transportit detar dhe shërbimeve mbështetëse të tij, si dhe sektorin e hekurudhave.
… EDHE NOSTALGJIA E SEKSIT “TË NXEHTË”
Gjithsesi, Durrësi ku fokusohen polakët, ka qenë urë lidhëse midis dy vendeve.
Në Varshavë u diplomuan shumica e specialistëve të transportit detar dhe hekurudhor.
Shqipëria komuniste ka importuar anije (p.sh. “Durrësi” që përfundoi për skrap në Turqi, shih poshtë një foto të vitit 1967), vagonë hekurudhorë udhëtarësh dhe mallrash.
Gjithsesi, brezat e vjetër polakë, sidomos femrat, e kujtojnë me nostalgji plazhin e Durrësit, ku veronin dhe bënin seks “të nxehtë” mesdhetar me djemtë vendës deri para vitit 1961, kur Varshava anuloi marrëveshjen turistike midis agjencive shtetërore “Orbis” dhe “Albturist” (më 19 korrik 1961, gazeta New York Times njoftonte se agjencia zyrtare turistike polake “Orbis” kishte anuluar të gjitha udhëtimet turistike për pushime në Shqipëri këtë verë.“Nju Jork Tajms”-i tha se nuk ishte dhënë asnjë shpjegim zyrtar për këtë gjë).
“BIRRARI POLSKI”
Në kujtim të atyre viteve në sheshin “Nako Spiru” (kryqëzimi midis Rrugës së Dëshmorëve dhe “Mujo Ulqinaku”) një biznesmen durrsak hapi “Birrari Polski” (në foto poshtë), bri “Ballkava Sulltan” dhe “Bar Italia”.
Durrsakët parapëlqenin polakët për të bërë kontrabandë dhe për këtë e kanë pësuar nga sigurimi dhe drejtësia.
Vetëm pas 30 vjetësh polakët shkelën në Durrës, ku ndërtuan një ndërmarrje të përbashkët me kantierin detar, që rezultoi një dështim i plotë.
Info
Përfaqësuesi i parë polak diplomatik i akredituar në Shqipëri ishte Vladislav Shvarcburg-Gynter (Wladyslaw Schwarzburg-Gunther, 1885-1974), ambasadori polak në Athinë, i cili në vitin 1937 mori gjithashtu akreditimin për Shqipërinë.
Shvarcburg-Gynter përfaqësoi Poloninë në vitin 1938 në dasmën e mbretit të Shqipërisë Ahmet Zogu.
NGROHTËSI
Pas Luftës së Dytë Botërore, Qeveria e Unitetit Kombëtar e Republikës Popullore të Polonisë njohu zyrtarisht Republikën e Shqipërisë, në 5 nëntor 1945, por marrëdhëniet diplomatike u vendosën në vitin 1949, atëherë, kur të riatdhesuarit polakë në Shqipëri gjithnjë e më shumë filluan të kërkonin ndihmë në Ambasadën polake në Beograd.
Diplomati i parë polak i pasluftës në Tiranë ishte i ngarkuari me punë Boleslav (Boleslaw) Jeleń (1911-1985).
Kurse i ngarkuari shqiptar me punë në Moskë Mihal Prifti mbulonte dhe Poloninë.
Në gusht 1954, përfaqësitë u ngritën në rangun e ambasadës.
Në shtator, në Tiranë filloi nga puna ambasadori i Polonisë Edward Pietkiewicz (1909-1998), kurse ambasadori shqiptar Musin Kroi mbërriti në Varshavë në tetor 1957.
Fillimisht, marrëdhëniet diplomatike ishin shumë miqësore.
Vizita të organizuara të dendura zyrtare, u nënshkruan një numër marrëveshjesh dypalëshe, për shembull, në vitin 1951 mbi bashkëpunim tekniko-shkencor dhe kulturor.
Agjencia turistike polake “Orbis” ka bashkëpunuar me “Albturist”-in shqiptar.
KUADRO
Deri në mesin e viteve 1960 në Poloni kanë studiuar qindra shqiptarë, mes tyre anëtari i KQ të PPSH, Ministri i Transportit dhe Komunikacionit, ish-kryetar i komitetit ekzekutiv të kp të rrethit të Durrësit Luan Babameto, ish-drejtori i përgjithshëm i hekurudhave në Durrës; zëvendësministri i Transportit, dhe më vonë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shfrytëzimit të Hekurudhave Llambi Leka; drejtori i drejtorisë së jashtme në Ministrinë e Transportit dhe kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Poloni, ish-inxhinier në drejtorinë e përgjithshme të hekurudhave Leonard Zisi; ish-kryetari i komitetit ekzekutiv të kp të rrethit të Durrësit, i ndjeri Feruz Mataj; konstruktori i famshëm i anijeve Gani Ismailati etj.
PARTNERITET TREGTAR
Sigurisht, prishja e Shqipërisë me Moskën u reflektua në marrëdhëniet shqiptaro-polake, teksa Varshava shpalli non-grata ambasadorin shqiptar atje, Musin Kroi.
Që nga ajo kohë, nuk kishte asnjë bashkëpunim politik polak-shqiptar.
Por pati në ekonomi, në vitet 1970 Polonia ishte partneri i tretë dhe i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë.
Shqipëria importonte anije, vagonë, pajisje minierash, makina dhe furgonë, pajisje dhe sisteme elektrike, pajisje mjekësore laboratorike, makineri për industrinë ushqimore, produkte kimike, ushqimore etj.
Polonia importonte nga Shqipëria bitum, mineral kromi, boksite, pllaka dhe blloqe mermeri, kabllo dhe tela bakri, duhan, cigare, bimë mjekësore, veshje, lesh, perime, fruta, qumësht, mjaltë, konjak.
PAS VDEKJES SË HOXHËS
Në shtator të vitit 1989, Akademia e Shkencave në Varshavë organizoi një konferencë shkencore treditore mbi marrëdhëniet polake-ballkanike, duke përfshirë dhe ato polake-shqiptare.
Në fund të vitit 1989, në Varshavë, u krijua një grup nismëtar për riaktivizimin e ish-Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Poloni.
Pas gati 30 vjet, në nëntor 1988, u zhvilluan bisedimet e para në nivel të Ministrave të Jashtëm. Në nëntor të vitit 1989, u shkëmbyen dokumente për ngritjen e rangut të misioneve në ambasada.
DURRËS-GDANSK
Me ndërmjetësimin e ish-të diplomuarve shqiptarë në Poloni, në vitin 1993 u nënshkrua marrëveshja për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët shqiptare-polake midis kantierit detar të Gdansk-ut që mori mbi 51 për qind të aksioneve dhe kantierit Durrësit (shih foton e parë poshtë).
Në vitin 1997, në kuadrin e kontingjentit ushtarak ndërkombëtar të OKB-së, një kompani polake mori në mbrojtje kantierin detar.
Ndërkaq ndërmarrja e përbashkët Durrës-Gdansk ishte dështim i plotë.
Polakët ia shitën pjesën e vetë kompanisë turke “Kurum”, që e mbylli fare aktivitetin e riparimit të anijeve.
Në vitin 2011 u mbyt doku lundrues polak i vitit 1939 në basenin e portit të Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





